Për kë bien këmbanat? Banorët kërkojnë vendim nga Apeli për HEC-et në Zall Gjoçaj: Masakër!

Dhjetëra qytetarë kanë protestuar përpara Gjykatës Administrative të Tiranës. Prej një viti kanë kërkuar shqyrtimin e ankesës për ndërtimin e HEC-eve në Zall Gjoçaj. Dëmtimi i Parkut Kombëtar dhe tharja e tokave nga mungesa e ujit për disa fshatra përreth i ka detyruar banorët të bëjnë rreth 6 orë rrugë për të protestuar.

Këto këmbana bien para Gjykatës Administrative të Apelit. Aktivistë, ambjentalistë dhe banorë të Zall Gjoçaj kanë protestuar këtë të mërkurë përpara Gjykatës Administrative të Apelit në Tiranë.

Prej një viti pranë saj është ankimuar vendimi i shkallës së parë, e cila vendosi të lejojë ndërtimin e HEC-it në këtë zonë.

Edhe pse ka patur kërkesa për përshpejtim të gjykimit ende nuk ka asnje njoftim se kur çështja do të jetë në rendin e ditës.

Ambjentalisti, Sazan Guri, thotë se kjo është një masakër që i bëhet Parkut Kombëtar.

"100 qytetarë me 100 këmbora vijnë para Gjykatës së Apelit për ti kujtuar për të mos vonuar drejtësinë se ndryshe këta do të quhen pjesë e krimit. Na thoni kur do të sillni fundin që ne të fillojmë të mendojmë."

Dëmtimi i Parkut Kombëtar, tharja e tokave nga mungesa e ujit për disa fshatra përreth i ka detyruar këta banorë të bëjnë rreth 6 orë rrugë për të protestuar.

"Nje vend atraktiv për turizimin po kthehet në një vend jo më tërheqës. Bimësia dhe natyra fillon e  degradon shkallë-shkallë derisa të kthehet në shkretëtirë".

"Prej 15 vitesh janë marrë tre iniciativa për të përmbytur të gjithë Dibrën. Tre vendime qeverie i ka anuluar populli i Dibrës, të 2005, 2007-2009 dhe 2016. Është privatizuar gjithçka, është privatizuar shteti. Nuk ka shtet sot populli.Kanë ndryshuar rrjedhën e lumenjve në 28 km, në 28 km rrjedhin lumenj natyrorë dhe sot nuk ka ujë. I bëj thirrje drejtësisë shqiptare të shohë këto masakra që po bëhen."

"Të gjithë ato lloj kafshësh të egra atje që po ngordhin për ujë se nuk ka ujë."

"Protesta e sotme është për tu bërë një thirrje këtyre që do të jetë drejtësi ndonjëherë në vendin e tyre apo nuk do të ketë".

"Në cilin vend të botës ndërtohen HEC-e me ujë të pijshëm, në cilin vend të botës shkatërrohet zona e mbrojtur?"

Edhe pse në moshë të vogël, Anxhela, banore në Zall Gjoçaj ju bashkua protestës.

"Zilja bie për Gjykatën!"