Ultimatumi i Ramës/ Policia “mësyn” plazhet nga veriu në jug, hiqen çadra e shezlongë pa leje
Forcat e Policisë së Shtetit përfshirë edhe ato të FNSH kanë zbarkuar në plazhet e vendit nga veriu në jug në aksionin kombëtar për heqjen çadrave e shezlongeve pa leje në plazhe. Aksioni vjen vetëm tre ditë pas masakrës me katër të vrarë në Velipojë si pasojë e konfliktit mes dy bizneseve për shfrytëzimin e plazhit.
"U bëj thirrje të gjithë atyre subjekteve që nuk janë në rregull me dokumentacionin dhe që kanë operuar me teorinë e faktit të kryer që të largohen nga sipërfaqet që nuk ju takojnë me ligj dhe me rregull", deklaroi kryeministri Edi Rama mesditën e 29 qershorit 2021.
Vetëm disa orë pas këtij paralajmërimi të kryeministrit Edi Rama, forcat e Policisë së Shtetit, dhe ato të policive bashkiake iu vërsulën bregdetit për verifikimin e ligjshmërisë në plazhe.
Aksioni kundër zaptimit të hapësirës publike në mënyrë të kundraligjshme me shezlongë e çadra nisi në një kohë në të gjithë vijën bregdetare nga veriu në jug.
Gjatë gjithë vijës bregdetare në Velipojë janë verifikuar 27 subjekte, 2 prej të cilëve kishin zënë më shumë hapësirë publike se sa parashikohej nga leja përkatëse në e-Albania. Në këto 2 subjekte janë hequr 40 shezlongë dhe rreth 20 çadra.
Në Shëngjin, gjatë vijës bregdetare të shetitorës "Willson" janë verifikuar 36 subjekte, të cilat ishin të pajisura me lejen përkatëse dhe nuk janë evidentuar shkelje.
Në Golem të Kavajës janë në terren dy grupe pune që po kalojnë në sitë dokumentet e të gjitha subjekteve që operojnë në zonën e plazhit. 11 parcela plazhi pa leje janë identifikuar nga Përroi Agait në drejtim të Karpenit, ku sipas njoftimit të policisë janë hequr rreth 550 shezlongë dhe rreth 280 çadra.
Në Durrës gjatë kontrollit të 30 subjekteve nga Përroi Agait në drejtim të vendit të quajtur "Plepa" janë evidentuar 7 parcela pa leje ku janë hequr rreth 290 shezlongë dhe rreth 141 çadra.
Në territorin e plazhit në Pogradecit deri janë kontrolluar 24 subjekte, të cilat ishin të pajisura me lejen përkatëse dhe nuk janë evidentuar shkelje.
Në Vlorë kontrolli ka nisur nga Zvërneci deri në Ksamil dhe do vazhdojnë në të gjithë vijën bregdetare. Si rezultat i kontrolleve deri në këto momente në 37 subjekte janë evidentuar 5 parcela pa leje ku janë hequr rreth 95 shezlongë dhe rreth 20 çadra.
Sakaq në Fier, në territorin e plazhit në Seman, Darzezë dhe Divjakë deri tani janë evidentuar 3 subjekte në Darzezë dhe Seman pa leje ku janë hequr 157 shezlongë dhe rreth 76 çadra.
Në Vlorë dhe Fier vijon dhe aksioni për shembjen e objekteve pa leje, ku kanë zbarkuar fadromat e IKMT.
Faza e dytë e operacionit "Bregdeti Ynë" mbështetet nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Policisë së Shtetit si masë për të parandaluar reagimet e ashpra nga ana e pronarëve të bizneseve që janë cilësuar në paligjshmëri.


