Malaj: Ka një vullnet të tepruar në lidership dhe në qeverisje për të përqendruar pushtetin në pak duar
Ekonomisti Arben Malaj, në një lidhje të drejtpërdrejtë për Ora News me gazetaren Matilda Mcini lidhur me ngjarjet e fundit kriminale në vend u shpreh se fakti që shikojmë një ndarje ne qëndrimin e policisë ndaj njerëzve të thjeshtë dhe njerëzve me makina luksi është shqetësues.
Malaj: "Ajo që na shqetëson është fakti që shikojmë një ndarje të qëndrimit të policisë ndaj njerëzve që gjobiten edhe poshtë pallatit në raport me punën që krijojnë të fortët. Makinat luks që i trashëgojnë nga familjarët e tyre janë bërë një problem në rritje për shoqërinë. E para për modelin e keq, sepse ata janë pak në numër dhe vrasin shpirtërisht të rinj të tjerë të cilët i shikojnë me zili, dhe e dyta raporti që ata kanë me shtetin përgjithësisht është abuziv."
Zoti Malaj tha se duket sikur ka një vullnet të tepruar në qeverisje për të përqendruar pushtetin në pak duar.
Malaj: "Duket sikur ka një vullnet të tepruar në lidership dhe në qeverisje për t'i fokusuar më shumë përqendrimin e pushtetit në pak duar, në pak individë. Nuk ka vend në botë që territorin e bashkisë e komandon një strukturë kombëtare.
Përqendrimi i pushtetit, një strategji e mirë-menduar që e ka cenuar rëndë decentralizimin dhe autonominë e pushtetit vendor është ajo që i ka përkeqësuar marrëdhëniet mes qytetarëve dhe qeverisë, dhe aq më tepër krijon konflikte sociale."
Sipas zotit Malaj reformat që nisin nga një qeveri duhet të trashëgohen, por jo të bëhen hapa pas.
Malaj: "Reformat që nisin duhet të trashëgohen nga një qeveri në tjetrën dhe të përmirësohen, por jo të përkeqësohen. Ka hapa pas. Pushteti vendor në shumë bashki vuan nga borxhe që kryetarët e bashkive i lënë njëri-tjetrit. Individët që bazohen te pushteti absolut në një kohë të dytë bien viktimë e modelit që kanë vetë-përzgjedhur."
