Bizneset kosovare kritika qeverisë shqiptare: Barriera dhe burokraci, nuk janë mbajtur premtimet

Pavarësisht dhjetëra marrëveshjeve të nënshkruara mes qeverive, bizneset e Kosovës në Shqipëri vijojnë të përballen me barriera e burokraci.

Sipërmarrësi Shaqir Palushi operon prej 15 vitesh këtu.

Ai thotë se institucionet kërkojnë një pafundësi dokumentesh çka përkthehet në kosto shtesë e vështirësi për bizneset.

"Ka numër të madh të këtyre pengesave siç është skaneri, dokumenti për origjinën dhe dokumente të tjera. Ne duam që gjithë eksporti të kryhet me një dokument të vetëm. Më lehtë është të eksportosh në vendet e BE sesa në Shqipëri," tha Palushi.

Edhe pse shqetësimet ia kanë adresuar autoriteteve, sipas Palushit lehtësirat e premtuara nuk u krijuan.

"Na është premtuar, por lëvizjet janë minimale. Do duhet diçka që ndoshta brenda një muaji të ndryshohet, ne po presim 10 apo më tepër vite," tha Palushi.

Kushtrim Shala, biznesmen, thekson nevojën e krijimit të një strategjie të përbashkët midis dy qeverive.

"Mungon një hartim i rrjetit të ekselencës e cila mund të shtrihet në të gjitha ambasadat e Shqipërisë dhe të Kosovës në mënyrë që të përthithen të gjitha talentet e diasporës," tha ai.

Vështirësitë që ndeshin në Shqipëri, bizneset nga Kosova  i ngritën gjatë një takimi me ambasadorin Nait Hasani  ne Tiranë.

Përpos burokracive në dogana dhe rëndesës së taksave, diplomati theksoi se sipërmarrësit kosovar hasin probleme edhe me drejtësinë.

"Kemi shumë ankesa të ngritura nga bizneset siç janë çështja e skanerit, çështja e portit të Durrësit prë të marrë lejë dhe liçensa. Gjithashtu kanë hasur në vështirësi të sistemit të drejtësisë," tha Hasani.

Marrëveshjet e arritura mes dy shteteve tha ai nuk janë funksionale.
Ambasadori Nait Hasani kërkoi heqjen e taksave ndaj bizneseve, heqjen e lejë-qëndrimeve dhe lejeve të punës.