Vrojtuesit  në plazhe/ Çdo ditë gjenden 12 fëmijë dhe u dorëzohen prindërve

Gent Lasku, Sekretari i përgjithshëm i federatës së vrojtuesve në Shqipëri, është shprehur se nevoja për siguri në plazhe në vendin tonë ka qenë prej kohësh.

I ftuar në edicionin e lajmeve të Ora News, Lasku është shprehur se çdo vit mbajnë statistika në lidhje me numrin e të vdekurve në plazhe dhe sipas tij me shtimin e numrit të vrojtuesve, ky numër ka rënë.

“Ne mbajmë statistika shumë korrekte vit për vit. Sa i përket pjesës së nevojës për siguri në plazhe, kjo nuk është një dukuri që është shfaqur tani, nevoja për siguri në plazhe është prej kohësh. Ishim i vetmi vend në botë që nuk e kishim këtë. Nga statistikat tonë në 2017, kur qendra e  formimit profesional bëri grupin e parë të vrojtuesve, ne kishim vetëm 25 vrojtues plazhi. Atë vit në Shqipëri, si pasojë e mbytjes humbën jetën 46 persona, 12 prej të cilëve ishin njerëz që shkuan t’i ndihmonin.

Vit pas viti, në plazhet shqiptare, numri i pushuesve, vjen gjithmonë në rritje. Në 2020, numri i vrojtuesve të plazhit ishin mbi 820 vrojtues. Nga gjithë aktiviteti turistik dhe ndërhyrjet tona janë regjistruar 80 raste të ndërhyrjes së vrojtuesve të plazhit, kuptohet 80 raste ishin të gradës 2 dhe gradës 3.

Vrojtuesit  në plazhe/ Çdo ditë gjenden 12

Ne kemi një statistikë që në plazhet shqiptare,  ditë për ditë gjendet 12 fëmijë nga vrojtuesit dhe dorëzohen te prindërit. Vrojtuesi është përgjegjës për plazhin. Fakti që ka më shumë drejtues plazhi ka reduktuar  numrin e të vdekurve. Profesioni i vrojtuesve të plazhit është shumë i nevojshëm. Është një punë shumë e vështirë. Një vrojtues sipas ligjit duhet të ketë një vijë lineare jo më të gjatë se 80 metra."

Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti për online Anila Kolgjini