Kërkoi ndihmën e ''Venecias'' për 30 qershorin, reagon Kushtetuesja: E konsideruam të nevojshëm këshillimin
Gjykata Kushtetuese i ka cilësuar keqdashëse dhe keqinformuese reagimet dhe komentet që pasuan vendimin e saj për ti kërkuar Komisionit të Venecias mendim në lidhje me zgjedhjet lokale të e 30 qershorit. Duke rikujtuar thirrjen për zbatimin e vendimeve të saj, Kushtetuesja tërheq vëmendjen edhe tek ndërhyrja në pavarësinë e institucionit, ndërsa thekson se çështja e hapur për rregullsinë e zgjedhjeve lokale është e një natyre të veçantë. Gjykata thekson se mendimi i Komisionit të Venecias është kërkuar edhe më parë.
Gjykata Kushtetuese reagoi me një deklaratë në lidhje me vendimin e saj për të kërkuar mendimin e Komisionit të Venecias për kushtetutshmërinë dhe rregullsinë e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit të vitit 2019.
Në deklaratë gjykata flet për keqinterpretime dhe keqinformim në lidhje me këtë vendimmarrje.
"Ky vendim është i ndërmjetëm dhe mbështetet në nenin 44/b të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i shtuar në kuadër të ndryshimeve të reformës në drejtësi. Objekti dhe çështjet për të cilat u vendos të kërkohet ky opinion janë të ndryshme nga çështjet e trajtuara në opinionet e mëparshme të Komisionit të Venecies, të cilat Gjykata Kushtetuese pa dyshim i mban gjithmonë në konsideratë. Për më tepër, në morinë e çështjeve të trajtuara që nga rifunksionimi i Gjykatës Kushtetuese, ky është rasti i vetëm që ajo po e përdor këtë instrument".
Sipas gjykatës, çështja mbi procesin zgjedhor të datës 30.06.2019 është e një natyre unike dhe këshillimi me organe të specializuara u konsiderua i nevojshëm nga kjo Gjykatë.
Duke kujtuar një tjetër deklaratë të mëparshme me të cilën bëri thirrje për respektimin e vendimeve të saj, Kushtetuesja shpreh besimin se ushtrimi i veprimtarisë në një klimë besimi nga kushdo do t’i shërbente forcimit të autoritetit të saj si organ kushtetues i pavarur.
"Gjykata konstaton se debati jokonstruktiv i ditëve të fundit jo vetëm që nuk i shërben kësaj klime besimi, por, përkundrazi, mund të perceptohet si përpjekje për ta përfshirë atë në debate me ngjyrime politike, të veshura nën petkun e diskurseve juridike për të paragjykuar vendimmarrjen e saj në lidhje me themelin e çështjes dhe si ndërhyrje në pavarësinë e saj".
Më 23 qershor 2021, pasi dëgjoi pretendimet e palëve, Gjykata Kushtetuese vendosi ti kërkojë mendim Komisionit të Venecias para se të shprehet nëse zgjedhjet e 30 qershorit 2019 pa opozitën, kanë qenë kushtetuese apo jo.
Reagimi i plotë i Kushtetueses:
Gjykata Kushtetuese ka ndjekur diskutimet që ka ngjallur vendimmarrja e saj e datës 23.06.2021 për të kërkuar amicus curia nga Komisioni i Venecias për shqyrtimin e çështjes mbi procesin zgjedhor të datës 30.06.2019. Gjykata Kushtetuese, duke shprehur shqetësimin e saj rreth keqinterpretimeve dhe keqinformimit në lidhje me këtë vendimmarrje, ndjen për detyrë institucionale të informojë sa më poshtë vijon.
Ky vendim është i ndërmjetëm dhe mbështetet në nenin 44/b të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i shtuar në kuadër të ndryshimeve të reformës në drejtësi. Objekti dhe çështjet për të cilat u vendos të kërkohet ky opinion janë të ndryshme nga çështjet e trajtuara në opinionet e mëparshme të Komisionit të Venecias, të cilat Gjykata Kushtetuese pa dyshim i mban gjithmonë në konsideratë. Për më tepër, në morinë e çështjeve të trajtuara që nga rifunksionimi i Gjykatës Kushtetuese, ky është rasti i vetëm që ajo po e përdor këtë instrument.
Gjykata Kushtetuese i është drejtuar edhe më parë Komisionit të Venecias, si një organ i specializuar i Këshillit të Evropës me ekspertizë të thelluar në të drejtën kushtetuese dhe me një kontribut të çmuar në veprimtarinë e kësaj Gjykate në çështjet me rëndësi të veçantë. Çështja mbi procesin zgjedhor të datës 30.06.2019 është e një natyre unike dhe këshillimi me organe të specializuara u konsiderua i nevojshëm nga kjo Gjykatë. Gjykata Kushtetuese, në deklaratën e saj të fundit për mediet, ka theksuar rëndësinë e respektimit të pakushtëzuar të vendimeve të saj dhe ka shprehur besimin se ushtrimi i veprimtarisë të kësaj Gjykate në një klimë besimi nga kushdo do t’i shërbente forcimit të autoritetit të saj si organ kushtetues i pavarur.
Gjykata konstaton se debati jokonstruktiv i ditëve të fundit jo vetëm që nuk i shërben kësaj klime besimi, por, përkundrazi, mund të perceptohet si përpjekje për ta përfshirë atë në debate me ngjyrime politike, të veshura nën petkun e diskurseve juridike për të paragjykuar vendimmarrjen e saj në lidhje me themelin e çështjes dhe si ndërhyrje në pavarësinë e saj.
