Mbetjet digjen në Bulqizë, Bashkia grumbullon mbeturinat në vendin që nuk është i përcaktuar
Bashkia e Bulqizës ka caktuar një vendgrumbullim mbetjesh në afërsi të Klosit, por pavarësisht kësaj mjetet e Bashkisë shkarkohen në Qafën e Buallit. Por ky nuk është problem i vetëm. Një tjetër shkelje e ligjit është edhe djegia e mbeturinave në këtë zonë.
Edhe pse nuk është një vendgrumbullimi mbetjesh, Bashkia e Bulqizës ka zgjedhur Qafën e Buallit, si rrugën më të shkurtër për të depozituar mbeturinat.
Mbetjet dërgohen me makineri në këtë zonë, edhe pse ato duhet të çoheshin disa kilometra më larg në vendin e caktuar nga vetë Bashkia.
Por jo vetëm që ato po hidhen aty, por së fundmi në pamundësi për groposje atyre u është vënë zjarri.
Siç mund të shihet në këto pamje që vijnë nga Bulqiza, mbetjet përhapin tym në të gjithë zonën, duke u kthyer në shqetësim serioz për banorët.
Duke qenë se temperaturat janë shumë të larta, të gjitha kimikatet që përfitohen nga djegia e plastikës apo mbetjeve të tjera qarkullojnë normalisht në ajër, duke u bërë një burim i rrezikshëm për shëndetin e popullatës.

