"Luajnë cicmic" në Vlorë, Këshilli e thërret më 30 qershor, Leli: Shihemi në "Zoom" më 29
Në Vlorë teatri politik mes kryetarit të bashkisë dhe këshillit bashkiak është kthyer në arenën për të shmangur përballjen në salla.
Këtë të enjte, ata duhet të ishin bashkë në mbledhjen e muajit, ku në qendër ishin vendimet për dhënien e ndihmës ekonomike.
Por këshilltarët e kishin paralajmëruar, se sa kohë Dritan Leli nuk u del përballë tu japë llogari për punët e Vlorës, ata nuk do të diskutojnë me të online.
Ndaj duke shpallur dështimin e mbledhjes së planifikuar, Dritan Leli i thumboi me një deklaratë.
"E pranoj haraçin e veprimeve tuaja deri në masën që më prek mua, por jo qytetin! Vlora sapo ka nisur sezonin turistik, pas muajsh të gjatë e të vështirë lufte me shëndetin! Turistët po gëzojnë lirinë dhe bukurinë e një qyteti që nuk mund dhe nuk duhet të shëmtohet prej gjyqeve teatrale! Vlora duhet promovuar, jo sakatuar."
Pasi i dhanë një sinjal bllokimi kryebashkiakut, këshilltarët socialist lajmëruan se do të mblidhen më 30 qershor në ambientet e Teatrit "Petro Marko."
Aty presin edhe kryebashkiakun Dritan Leli, në llogaridhënie publike për problemet e qytetit ndërsa do të kërkojnë transparencë se kush urdhëroi kyçjen e Teatrit për mbledhjet e parashikuara më 15 dhe 22 Qershor.
Por Dritan Leli duket se nuk ka ndër mend të tërhiqet nga lufta me vëllezërit politik.
Menjëherë më pas, ai nxori një shkresë ku kërkoi mbledhjen e këshillit bashkiak.
Kryebashkiaku i sfidon se është gati tu japë përgjigje për shqetësimet e pretenduara. Por ka dy kushte.
Diskutimi sipas tij duhet të bëhet online, dhe më 29 qershor.

