Kakavijë/ "30 vjet pa zgjidhje" Ora News pranë shqiptarëve në pritje me orë në tokën neutrale në kufirin Shqipëri - Greqi
Për të dytën ditë në pikën kufitare të Kakavijës vihen re radhë kilometrike të makinave të shqiptarëve që duan të hyjnë në tokën greke.
Situata është kaotike pasi janë me dhjetëra shqiptarë ka dhe me fëmijë të vegjël që rrinë në pritje në tokën neutrale për të kaluar kufirin grek.
Ka dhe të sëmurë, që kanë 12 orë në pritje për të kaluar kufirin nën temperaturat e larta, ndërsa pala greke punon me një pikë kontrolli raporton nga kjo pikë kufitare gazetarja e Ora News, Entiola Budo.
Ata thonë se nuk ishin përgatitur për rradhët kilometrike, madje nuk ishin furnizuar mjaftueshëm me ujë.
Ata që presin në mes të diellit në këto temperatura të nxehta janë të lodhur, fjalëpak por dhe të pashpresë për gjetjen e zgjidhjes së këtij problemi me të cilin përballen çdo vit.
“Kemi 30 vjet kështu“ thonë ata kur gazetarja e Ora News u drejton mikrofonin.
Ata kërkojnë që qeveria t'i dëgjojë dhe të marrë masa, sepse nuk shkojnë në Greqi për pushime por për të punuar.
Ora News shkoi atje për të përcjellë nga afër problematikën e qytetarëve.
Ministria e Jashtmne Shqiptare ka lajmëruar se prej datës 19 qershor, në Greqi do të lejohet të kalonin të gjitha kategoritë e udhëtarëve nga Shqipëria, si për qëllime familjare ashtu dhe turistike.
Udhëtarët duhet të kenë me vete: Formularin Plf, certifikatë vaksinimi, test PCR ose rapid ose certifikate se diagnozës pozitive e vlefshme për dy deri në nëntë muaj.
Fëmijët mbi 12 vjeç do të kenë të njëjtat kritere hyrëse si të rriturit. Ndërkohë më datë 21 qershor 'Tirana International Airport' njoftoi se kanë rifilluar udhëtimet për në Greqi, për të gjithë shqiptarët që zotërojnë një pasaportë biometrike.
