"Pas 30 viteve nuk jemi shkëputur nga komunizmi", Murrizi: Këtë herë nxorën Bullgarinë për mos-hapjen e negociatave
Deputeti Myslim Murrizi ditën e sotme në Parlament nuk ka lënë pa përmendur mos-hapjen e negociatave me BE-në.
Murrizi thotë se njëherë për Shqipërinë nuk do Franca, pastaj nxjerrin Bullgarinë. Ai madje i drejtohet mazhorancës duke i thënë se ishte mërzitur pasi mendonte se kishin folur me palën bullgare për të hequr veton.
Murrizi: "Pashë Ramën dje që e quante vëlla Zaevin. Shumë mirë e ka, nuk e di ka ndonjë origjinë këtej Zaevi. Ça po bëhet me negociatat Taulant? Do Franca, s’do Franca, herë nxjerr Bullgarinë, u mërzita fort thashë mos keni folur.
Ne për nder të ish-liderit komunist të Bullgarisë i vutë emrin fermës së rrushit, Gjergj Dimitrovit. A s’kishit folur me pasardhësit e Gjergjit që mos vinte veton?
Këtë herë nxorën Bullgarinë, herën tjetër do nxjerrin Lihteshteinin ose San Marinon."
Për Murrizin, arsyeja e vërtetë e mosçeljes së negociatave është sepse BE e sheh që Shqipëria nuk po ndahet nga komunizmi edhe pas 30 vitesh.
Murrizi: "Arsyeja e vërtetë është që ata e shohin mirë se ky vend në 30 vite post komunizëm nuk është shkëputur dot nga e kaluara. Ndoqa me vëmendje një komunikim shumë të bukur të ambasadores amerikane me Fisartin nga Tropoja dhe ajo që më bëri përshtypje ishte që Fisarti ishte përpjekur t'i tregonte ambasadores se çfarë ka bërë Enveri dhe kush ka qenë.
Nëse zonja e nderuar Kim, Luigi Soreca që nga ambasador duket se është kthyer në kryetar komisioni për të korrigjuar maturën shtetërore, kur të kenë kohë t'i dërgojnë 2 gisht letër Genta Sulës ose mos takojnë Fisartin as pasardhësit e atyre që kanë ushtruar diktaturë në këtë vend.
Nga '44 në '90 zonja Kim janë larguar nga Shqipëria në drejtim të tokës së shenjtë që ju përfaqësoni 13.600 shqiptarë. Çfarë ka ndodhur në këtë regjim ti nuk e di.
Takon Taulantin, Taulanti nuk ta shan regjimin e Enverit, takon Ramën, Rama i përket familjeve që kanë qenë në pushtet në kohën e Enverit. Kë ke takuar? Në 30 vite post komunizëm ke takuar ose komunistë që kanë kapërcyer ylberin, ose fëmijët e tyre, ose pjellën e tyre biologjike, ose kopilët e bllokut. Tako popullin se të tregojnë. "
