Tiranë/ Ndjekje policeske në rrugën "Dritan Hoxha"
Një 35 vjeçar është arrestuar pasi me automjetin e tij ka bërë manovra të rrezikshme në rrugën “Dritan Hoxha” në Tiranë si dhe ka shkaktuar aksident gjatë ndjekjes së policisë.
Një telefonatë kishte njoftuar policinë për të riun dhe menjëherë ajo është vënë në ndjekje të automjetit.
“ Drejtuesi sapo ka parë patrullën e Policisë Rrugore, jo vetëm që nuk i është bindur shenjës së ndalimit, por ka shtuar shpejtësinë duke aksidentuar një automjet tjetër në lëvizje dhe duke rrezikuar edhe përdoruesit e tjerë të rrugës ” informon policia e shtetit.
Ndjekja e automjetit ka vijuar nga patrullat e tjera të Policisë Rrugore, të cilat kanë arritur të ndalojnë dhe neutralizojnë drejtuesin e automjetit në rrugën “Ibrahim Rugova”, pa shkaktuar pasoja për përdoruesit e tjerë të rrugës.
Nga verifikimi me aparatin alkooltestues rezultoi se drejtuesi i automjetit, shtetasi me iniciale B. A., 35 vjeç, ishte në gjendje të dehur në masën 0.66 mg/l testi i parë dhe 0.65 mg/l testi i dytë. Gjithashtu, gjatë kontrollit personal, këtij shtetasi iu gjet një sasi e vogël lënde narkotike e dyshuar canabis sattiva.
Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit B. A., 35 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
