Punëtori u rrëzua dhe përfundoi te Trauma, arrestohet pronari i banesës në Pogradec

Një punëtor është rrëzuar nga skela e katit të dytë teksa punonte në një banesë në fshatin Udënisht, Pogradec.

58-vjeçari po punonte në ndërtesën private në pronësi të shtetasit Sh. P., (i pajisur me leje ndërtimi nga Bashkia Pogradec).

Lidhur me këtë ngjarje, policia e Pogradecit ka arrestuar pronarin e banesës për veprën penale "Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë."

"Policia bëri arrestimin e shtetasit Sh. P., 47 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë punimeve në banesën e tij (e pajisur me leje ndërtimi dhe dokumentacion të rregullt) është rrëzuar nga shkallët 58-vjeçari, i cili mori dëmtime në kokë dhe aktualisht ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë," thuhet në njoftim.

Materialet i kaluan Prokurorisë Pogradec, për veprime të mëtejshme.