Këshilltarët nuk marrin pjesë në mbledhje, Dritan Leli: Me këngën e kusureve të mia po sakatohet Vlora

Debati mes Partisë Socialiste dhe kryebashkiakut të Vlorës ka sjellë pezullimin e punimeve të Këshillit Bashkiak, dhe si pasojë dhe të miratimit të vendimeve.

Përmes një shkrese të firmosur nga kryetarja e këshillit Migena Balla, Dritan Lelit i bëhet e ditur se nuk do të pranojnë asnjë mbledhje online, por vetëm ato në sallë ballë për ballë.

Madje ajo deklaron se Leli do të njoftohet për takimin e radhës për mes sekretarit të përgjithshëm Agron Gjipali, emër të cilin anëtarët e këshillit refuzuan ta shkarkojnë pavarësisht kërkesës së Lelit.

Menjëherë pas njoftimit Leli shpreh indinjatën e tij teksa shton se beteja brenda PS-së nuk duhet të ndikojë tek punët e qytetit.

" Më vjen keq që me këngën e kusureve të mia, Këshilli Bashkiak nuk po i përkrah sot fëmijët me probleme sociale të qytetit, që me miratimin e vendimit do të frekuentonin kopshtet dhe çerdhet me të ardhurat e bashkisë, nuk po miraton as ndihmën ekonomike, as listën e familjeve apo individëve që përfitojnë kredi nga të ardhurat e bashkisë ."

Më tej kryebashkiaku i Vlorës, deklaron se përplasja politike që ai e quan gjyq teatral, duhet të promovojë Vlorën dhe jo ta sakatojë atë.

"E pranoj haraçin e veprimeve tuaja deri në masën që më prek mua, por jo qytetin! Vlora sapo ka nisur sezonin turistik, pas muajsh të gjatë e të vështirë lufte me shëndetin! Turistët po gëzojnë lirinë dhe bukurinë e një qyteti që nuk mund dhe nuk duhet të shëmtohet prej gjyqeve teatrale! Vlora duhet promovuar, jo sakatuar! "

Debatet në Vlorë kanë nisur para zgjedhjeve parlamentare. Në atë kohë Dritan Leli refuzoi ofertën për tu bërë pjesë e listës së kandidatëve të PS. Pas kësaj ka qenë kryeministri Edi Rama i cili theksoi se me kryebashkiakun do të merrej pas votimeve.