KPK konfirmon në detyrë Elisabeta Imeraj, Yuri Kim thirrje për mediet: Koha për të treguar guxim dhe integritet

Ambasadorët e SHBA dhe të BE në Shqipëri reaguan në mbështetje të ankimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit për vettingun e prokurores Elisabeta Imeraj. Yuri Kim kritikon mediat për heshtjen lidhur me këtë rast, ndërsa kërkon që KPA ta shqyrtojë çështjen me pavarësi e integritet. Po kështu ambasadori Luigi Soreca shkruan se zyra e BE-së mbështet plotësisht apelin e ONM-së kundër vendimit të KPK që konfirmoi në detyrë prokuroren.

Ambasada Amerikane në Tiranë dhe ajo e BE, reaguan lidhur me rekomandimin e ONM për ankimin në KPA të vendimit të KPK që konfirmoi në detyrë prokuroren e Tiranës Elisabeta Imeraj.

Diplomatja amerikane Yuri Kim shkruan se “në përputhje me rolin e saj kushtetues në procesin e verifikimit, vëzhguesit ndërkombëtarë dje rekomanduan Komisionerët Publikë të apelojnë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për një çështje të rëndësishme”.

Ambasadorja vë në dukje se të gjithë duhet të shikojmë nga afër se çfarë do të ndodhë më pas.

"A do të jetë përgjigjja për të treguar guxim dhe integritet për të dhënë drejtësi ose, siç e kemi parë shumë shpesh në të kaluarën, për të devijuar përpjekjet duke sulmuar procesin e verifikimit dhe duke shpifur vëzhguesit ndërkombëtarë," shkruan Kim.

Yuri kim në reagimin e saj kritikon edhe mediat për mënyrën e sjelljes në këtë rast.

"A do t'i shërbejnë media publikut dhe ta mbulojnë këtë çështje me integritet, apo do të marrin telefonata dhe do të bien dakord të qëndrojnë të heshtur dhe të verbër?"

Ambasadorja thekson se është koha për të treguar guxim dhe integritet, është koha për të thyer modelet e vjetra që dëmtojnë. Koha për të ecur përpara, hap pas hapi.

Pas deklaratës së diplomates amerikane Yuri Kim, për këtë çështje ka reaguar edhe ambasadori Luigi Soreca, i cili thekson se zyra e BE në Shqipëri e mbështet plotësisht rekomandimin e Vëzhguesve Ndërkombëtarë për apelimin.

“Ne shpresojmë që Dhoma e Posaçme e Apelimit të shqyrtojë çështjen me integritet dhe pavarësi për të siguruar që çështjet e rëndësishme të theksuara në rekomandimin për apelim të konsiderohen siç duhet," shkruan Soreca.