Leli nuk paraqitet në mbledhje, ministria e Shëndetësisë: Aktiviteti mund të zhvillohet, nuk ka rrezik
Në funksion të mbledhjes së njoftuar të Këshillit Bashkiak të Vlorës për ditën e sotme, Sekretari i Këshillit Agron Gjipali ka komunikuar me përfaqësuesit e lartë të Ministrisë së Shëndetësisë. Gjipali ka kërkuar një konfirmim mbi ligjshmërinë e realizimit të mbledhjes fizike në sallën e teatrit “Petro Marko”.
Në përgjigjen e saj, zv.ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli konfirmon se mbledhja mund të mbahet fizikisht.
“Përsa i përket Urdhrit të Ministres së Shëndetësisë ‘Për ndalimin e grumbullimeve në vende të mbyllura apo te hapura’ qëllimi ka qenë ndalimi i grumbullimeve të posaçme, që sikundër përmendet në urdhër lidhet me tubimet, konferencat, mbledhjet partiake, ceremonitë festive etj ku rreziku i transmetimit të virusit është shumë i lartë.
Përsa më sipër ky urdhër nuk cenon aktivitetin e Këshillit Bashkiak, pasi zhvillimi i mbledhjeve është vijimësi e punës së Këshillit Bashkiak, një praktikë që përdoret edhe nga institucione të tjera që punën e tyre e mbështesin mbi organe kolegjiale. Sot Vlora paraqet një situatë epidemiologjike të mirë, pa asnjë rast Covid. Sigurisht, këto mbledhje duhet të zhvillohen në përputhje me protokollet anti-Covid të miratuara si respektimi i distancës, mbajtja e maskës, kushtet higjenosanitare etj.”, shkruan Rakacolli në përgjigjen për Gjipalin.
