Dritan Leli nuk shkon në mbledhje, këshilltarët socialistë i kujtojnë se e ka vendosur partia
Këshilltarët socialistë të Vlorës kanë thirrur sot për të dytën herë jashtë rendit një mbledhje për t'u përballur me kryetarin e bashkisë, Dritan Leli.
Kryetari sërish nuk është paraqitur në mbledhje, me pretendimin e masave anticovid të cilat janë ende në fuqi.
Ai u është përgjigjur online këshilltarëve të bashkisë duke thënë se në mbledhjen e datës 24 qershor që do të zhvillohet online, mund të marrin pjesë edhe këshilltarët. Sipas Lelit në dispozicion të këshilltarëve është vënë një informacion në lidhje me problematikat sipas rendit të ditës.
Ndërsa deputeti i ardhshëm i Kuvendit, Ilir Metaj në fjalën e tij u shpreh se Leli kërkon me çdo kusht të mbrohet pas ekranit të kompjuterit nga rreptësia e kërkesës së llogarisë.
"Me gjithë pritshmërinë tonë për reflektim e drejta e Këshillit u nëpërkëmb dhe njëherë nga Dritan Leli. Kryetari i bashkisë zgjedh të dalë mbi ligjin dhe rregullat e demokracisë. I kujtojmë se ai nuk ka ardhur në krye të bashkisë si një kandidat i pavarur dhe as si përfaqësues i shoqërisë civile. Ai është zgjedhur si përfaqësues i Partisë Socialiste dhe e mbart këtë barrë morale dhe politike deri në fund të mandatit të tij. Ai e di se ne e njohim mirë protokollin dhe marrim masa për respektimin e tyre.
Zoti Leli refuzon të ballafaqohet me këshilltarët sepse zoti Leli e di mirë se të flasësh për kosha plehrash që i mungojnë qytetit, është të flasësh për mungesë qytetërimi. Zoti Leli kërkon me çdo kusht të mbrohet pas ekranit të kompjuterit nga rreptësia e kërkesës së llogarisë.
Ne jemi të vendosur të bëjmë çdo veprim të nevojshëm për të detyruar funksionin ligjor dhe në të mirë të Vlorës të aktivitetit të bashkisë dhe të drejtuesit të saj," tha Ilir Metaj deputet i ardhshëm i Kuvendit.
Një javë më parë, 15 qershor Leli nuk u paraqit në mbledhje duke thënë se nuk mund të bëhet fizikisht për shkak të masave anticovid.

