"S'pranojmë kapjen e Shoqatës së Bashkive", Këshilli Europian i Bashkive dhe Rajoneve nuk njeh Pjerin Ndreun kryetar

Këshilli Europian i Bashkive dhe Rajoneve ka reaguar  i tronditur nga shkarkimi i Voltana Ademit në krye të Shoqatës së Bashkive dhe zëvendësimin e saj me Pjerin Ndreun.

Përmes një deklarate për mediat, Këshilli Europian i Bashkive dhe Rajoneve thotë se Shoqata për Autonomi vendore, që drejton Erion Veliaj, nuk është njohur dhe pranuar nga organizatat ndërkombëtare me qendër në Bruksel.

Këshilli Europian i Bashkive  dënon ashpër iniciativën e ndërmarrë nga kryetari i Lezhës dhe  disa bashki të tjera të Partisë Socialiste, anëtare të shoqatës së bashkive të PS.

Këshilli Europian i Bashkive dhe Rajoneve bën thirrje për ndalimin e kësaj iniciative dhe kërkon që palet të diskutojnë në respekt të legjitimitetit të njëra-tjetrës.

Këshilli Europian i Bashkive dhe Rajoneve është në dijeni të procesit ligjor të 30 qershorit 2019, në Gjykatën Kushtetuese dhe kërkon që palët të punojnë për qëllime te përbashkëta dhe jo njëra palë në maxhorancë të kapë dhe kontrollojë palën tjetër në minorancë.

Këshilli Europian i Bashkive dhe Rajoneve nënvizon se nuk do të  njohë dhe pranojë  iniciativën e këtij grupi për të kapur Shoqatën e Bashkive.

Të mërkurën trupa me shtatë anëtarë e Gjykatës Kushtetuese ka parashikuar të zhvillojë seancën e parë sa i përket zgjedhjeve vendore të vitit 2019.

Kryetarja e Shoqatës së Bashkive, Voltana Ademi, e cila ka kërkuar pavlefshmërinë e votimeve të 30 qershorit për zgjedhjen e kryebashkiakëve.

Situata duket më e komplikuar kur në vend të saj është zgjedhur socialisti Pjerin Ndreu.

Procesi i zëvendësimit në krye të Shoqatës është konsideruar i paligjshëm nga Ademi, ndërkaq edhe gjykata e shkallës së parë nuk ka bërë ndryshimin e emrave në regjistër, por ka kërkuar shpjegime të mëtejshme.

Megjithatë tashmë e mërkura do të vendosë se si do të përfaqësohen palët, dhe çfarë kërkesash do të ketë Gjykata Kushtetuese.

 

Dokumenta bashkëngjitur