Defekt në Dobraç, e gjithë Shkodra mbetet pa ujë të pijshëm

Shkodranët u zgjuan mëngjesin e së martës pa ujë në çezmat e tyre.

Ujësjellësi i qytetit njoftoi se furnizimi ishte ndërprere për shkak të një defekti në stacionin e pompimit për të cilin fajësuan luhatjet e energjisë.

"Nga luhatjet e tensionit janë dëmtuar 3 panele kryesore të stacionit. Punojnë me të gjitha kapacitetet për të bërë të mundur vënien në punë të stacionit dhe furnizimin me ujë të gjithë qyteti të Shkodrës," tha Molla.

Drejtori i Ujësjellësit, Mark Molla, tha se problemet e shkaktuara nga furnizimi me energji janë të vazhdueshme.

"Është e papranueshme që sa herë që ka luhatje tensioni, për çdolloj arsye stacioni i ujit të Shkodrës, stacioni i Dobraçit del jashtë funksionit. I bëj thirrje OSHEE-së, të gjithë atyre që kemi kontratë që të jenë sa më të vëmendshme sidomos në lidhje me furnizimin e linjës së ujësjellësit. Përsa i përket dëmit nuk na është përgjigjur askush, asnjëherë," tha ai.

Sipas drejtuesit të Ujësjellësit të Shkodrës vlera e dëmit kalon 200.000 lekë, duke u përkthyer në kosto të shtuar për ndërmarrjen.