Braimllari: LSI do të bëjë opozitë ndryshe nga opozitat e tjera, brenda dhe jashtë Kuvendit
Në një intervistë me gazetaren Matilda Mcini në Ora, sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari u shpreh se LSI-ja po organizon një opozitë ndryshe nga opozitat e tjera.
Braimllari tha se njëri grup do të bëjë opozitë në Kuvend dhe tjetri jashtë Kuvendit duke qenë pjesë e opozitës aktive, ku eksperienca e ekipit është shumë e rëndësishme në këtë momente sipas tij.
Braimllari: Ne po organizojmë një opozitë ndryshe nga opozitat e tjera, sa na takon si LSI, sepse 4 mandatet e LSI-së në Kuvend nuk shprehin vullnetin e qytetarëve, pasi i bie rreth 27 mijë vota mandati. Pra, janë shumë vota për një mandat. Edhe në kushte terrori ne duhet të kishim shumë më shumë mandate parlamentare, por sërish mënyra e funksionimit të partisë do të jetë në dy drejtime. Njëri grup do të bëjë opozitë në Kuvend dhe tjetri jashtë Kuvendit duke qenë pjesë e opozitës aktive, ku eksperienca e ekipit tonë është shumë e rëndësishme në këtë momente.
LSI-ja pas procesit të 25 prillit mbajtëm një komunikim ku ishim shumë të qartë dhe e gjithë vëmendja jonë është përqendruar në zbardhjen e masakrës zgjedhore. Sigurisht që ne po bëjmë një analizë të brendshme, e cila nuk është bërë publike, në mënyrë që të kemi një pasqyrë reale të strukturave të partisë. Por duhet thënë se fokusi kryesor i partisë tonë është zbardhja e masakrës zgjedhore gjë e cila do të vazhdojë edhe në shtator. Kemi të bëjmë me një proces zgjedhor që ishte një masakër që nisi para 25 prillit dhe që u vendos në KAS dhe Kolegj Zgjedhor. Denoncimet tona të shumta nuk kanë pasur asnjë reagim nga prokuroria përkatëse.
Braimllari shtoi se në zgjedhje ka pasur shumë parregullsi dhe ndërkohë PS përdori gjithë administratën shtetërore në fushatë elektorale.
Braimllari: Në zgjedhje ka pasur shumë parregullsi dhe ndërkohë PS përdori gjithë administratën shtetërore në fushatë elektorale. Prandaj ne bëmë një marrëveshje në 5 qershor, në mënyrë që të mbroheshim nga krime të tilla zgjedhore. Ne e pamë që edhe sot dosja 399 kishte vetëm dënime për komisionerët, por jo kryetarë bashkisë të Rilindjes. Pra, drejtësia është e brishtë kur vjen puna te Rilindja duke i përjashtuar nga hetimi. Dosja u delegua te prokuroria e rrethit kur u përshirë gjithë shteti, për ta prishur gjithë procesin.

