Dritan Leli nuk i shkon në mbledhje, këshilltarët: Do të hetojmë lejet e ndërtimit dhe objektet pa leje
Lufta politike e anëtarëve të PS në këshillin bashkiak të Vlorës ndaj kryebashkiakut Dritan Leli ka avancuar në një tjetër nivel. Të martën përfaqësuesit e PS kanë vendosur që ta izolojnë dhe të bllojojnë vendimarrjen.
“Nuk pranojnë asnjë komunikim në distancë mes kreut të bashkisë e këshillit bashkiak” tha Ilir Metaj.
Socialistët përmes përfaqësuesit të Ilir Metaj shtuan edhe retorikën kundër Lelit, herë me nota kërcënuese e herë duke i kujtuar atij se ka ardhur në krye të bashkisë nën siglën e PS.
"Ne do të shfrytëzojmë çdo hapësirë ligjore duke marrë audit të jashtëm për monitorimin e veprimtarisë ekonomiko-financiare dhe sidomos çështjet e lejeve të ndërtimit dhe ndërtimet e paligjshme në bashkinë Vlorë. I kujtojmë zotit Leli se ai nuk ka ardhur në krye të bashkisë si një kandidat i pavarur dhe as si përfaqësues i shoqërisë civile. Ai është zgjedhur si përfaqësues i PS dhe e mbart këtë barrë morale dhe politike deri ditën e fundit të mandatit të tij."
Këshilltarët këtë herë ishin përgatitur me ndihmën e Ministrisë së Shëndetësisë, që Leli të mos përdorte arsyetimin e masave anti-covid për të mos shkuar në mbledhje.
Ata kishin marrë me vete edhe lejen e posaçme nga Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve dhe zv.ministres Mira Rakaçolli e cila në këtë rast i garantonte se nuk kishte rrezik nga koronavirusi.
Nga ana tjetër në orën 10:00 Dritan Leli u shfaq online së bashku me administratën e Bashkisë në pritje të mbledhjes. Leli u shpreh i gatshëm që të përballet me socialistët e pakënaqur me të, por vetëm online.
Përplasja mes Dritan Lelit dhe Partisë Socialiste ka nisur që në fushatën elektorale për zgjedhjet e 25 prillit kur kryeministri Edi Rama deklaroi publikisht krisjen me kryebashkiakun e Vlorës.
