Në burg për korrupsion, KLP mblidhet nesër për pezullimin nga detyra të prokurorit Hasa

Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të mblidhet nesër për pezullimin nga detyra të prokurorit të Sarandës Sali Hasa, i arrestuar për korrupsion.

Mbledhja online e thirrur nga kreu i KLP Ibrahimi do të nisë në orën 11.

"Diskutim/miratim i relacionit, për pezullimin nga detyra të prokurorit Sali Hasa, prokuror në prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë" thuhet në njoftim.

Sot Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar  vendosi të lërë në burg prokurorin e Sarandës Sali Hasa,  oficerin e Policisë Gjyqësore në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Napolon Hodaj, arbitrin e ndeshjeve të futbollit Qerim Ruçi si dhe dy "sekserët" Julian Zera dhe Emiljano Mirani.

Ndërkohë në arrest shtëpie u la vetëm zyrtari i klubit sportiv SHS “Përmeti”, Bledar Hajredini.

Prokurori i Sarandës Sali Hasa së bashku me oficerin e  policisë gjyqësore është arrestuar me akuzën e korrupsionit. 

Ata akuzohen se kanë pushuar çështjen ndaj një të arrestuari për plagosje, ndërkohë që i njëjti hetim ka dërguar në pranga edhe një arbitër sportiv dhe zyrtarin e klubit të futbollit të Përmetit të akuzuar për trukime ndeshjesh.

I gjithë hetimi ka nisur në vitin 2020, pas përgjimeve të dala nga një tjetër dosje që ishte në hetim në atë kohë ndaj një grupi dyshuar për trafik droge dhe korrupsion tek zyrtarët e drejtësisë.

Bëhet fjalë pikërisht për dosjen ndaj gjyqtares së Krujës, Enkeleda Hoxha, ndërsa përgjimet e kryera nxorën në pah fakte lidhur me prokurorin e Sarandës  Sali Hasa, dhe oficerin e kësaj prokurorie Napolon Hodaj.

Për këtë arsye prokuroria veçoi materialet dhe hapi një dosje të re duke dokumentuar implikimin e prokurorit dhe oficerit në marrjen e rryshfetit kundrejt pushimit të një çështje për një shtetas të arrestuar për plagosje.

Përgjimi i prokurorit Sali Hasa dhe oficerit Napolon Hodaj ka nxjerrë në pah edhe episode e trukimit të ndeshjes së kategorisë së dytë Selenica-Përmeti, e zhvilluar në ora 14.00 të datës 1 mars 2020.

Pas provave të mbledhura, SPAK ka urdhëruar arrestimin e arbitrit të ndeshjes Qerim Ruçi, dhe Bledar Hajredinit, zyrtar i klubit sportiv SHS “Përmeti”, i dyshuar për “Paracaktimi i rezultateve në garat sportive”.

Në pranga kanë rënë edhe shtetasit Julian Zera dhe Emiljano Mirani, të dyshuar si sekserë.

Prokurori i arrestuar Sali Hasa kishte kandiduar për tu emëruar titullar i institucionit lokal të akuzës por KLP e skualifikoi për mosplotësim të kritereve.

Me urdhër të SPAK, zyra e tij në prokurorinë e Sarandës është kontrolluar ndërkohë që kompjuteri i tij i punës dhe dokumente të tjera janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale.