Lëvizje surprizë/ Edi Rama lëshon Vlorën, merr mandatin e deputetit në Durrës
Me një lëvizje surprizë, Edi Rama ka vendosur të lëshojë bastionin e tij Vlorë dhe të marrë mandatin e deputetit të dhënë nga qytetarët në zgjedhjet e 25 prillit në Durrës.
Për shkak të hapësirave që dhanë ndryshimet në kodin e ri zgjedhor, kryetarët e partive kishin mundësi të kandidonin në katër qarqe.
Edi Rama zgjodhi të shfrytëzonte dy mundësi, Vlorën dhe Durrësin, dhe në të dy qarqet fitoi mandatin e deputetit.
Deri vonë sinjalet ishin se Rama do të vijonte të qëndronte në Vlorë, por me krisjen e marrëdhënieve me kryebashkiakun Dritan Leli, shefi i socialistëve duket se ka preferuar të zhvendoset në Durrës.
Rama në Durrës mori 15 871 vota rreth 4 mijë më shumë se në Vlorë. Në Durrës pas tij renditej Ana Dhamo.
Pas këtij vendimi mandatin në Vlorë e merr Teuta Ramaj e cila ishte renditur e nënta në Vlorë dhe ku mori 1738 vota. Tashmë do të jetë KQZ që do të miratoje dhe listën e deputetëve që do të ulen në parlament në shtator.
