Djali 9 vjeç, nuk ecën dhe flet me vështirësi, e ëma mes lotësh apelon për një karrocë
Ky është Emanuel Kurti 9 vjeç, fëmijëria e të cilit, nuk është si ajo e bashkëmoshatarëve.
Ai vuan nga problemet në mushkëri dhe një ndërlikim me muskujt.
Gjendja e vogëlushit sa vjen dhe rëndohet. Mes lotësh, nëna e tij tregon se Emanueli nuk mund të ecë.
Për këtë arsye, ai nuk ka mundur të marrë as arsimin bazë, pasi mësuesit nuk garantojnë dot mbështetje për të.
"Nuk ma pranuan te shkolla, nuk do ti rrimë për dore fëmijës tënd thanë. Ecën dy hapa, por nuk e mbajnë këmbët."
Thotë se në spital nuk i kanë dhënë shpresë dhe kjo është frika më e madhe e saj, pasi po nga kjo sëmundje ajo ka humbur një tjetër djalë në atë kohë vetëm 9 muajsh.
"Nuk më dhanë shpresë doktorët për çunin. Çoje në shtëpi thanë se ky nuk bëhet më. Vuan dhe nga mushkëria, ka probleme, nuk ka pasur zhvillim që 9 muajsh kur e pa doktori."
I vogli pothuajsenuk flet. Pjesërisht nga sëmundja, por dhe nga mungesa e komunikimit.
"Si gjithë fëmijët nuk është."
Aida, nëna e 9-vjeçarit apelon për një karrocë që të mundet ta nxjerrë djalin e saj.
"Kush do me vënë dorën në zemër ta vërë vetëm për këtë, nëse kanë fëmijë vetë, janë prindër. Ai që ka vuajtur më shumë e di dhembshurinë e nënës, nuk kam mundësi që t'ja blej" .
Familja prej 5 anëtarësh jeton në rrugën "Fan Noli" në Kamëz në kushte minimale.

