Qëlloi me pistoletë, arrestohet pronari i lokalit në Sarandë që mbeti i plagosur në përplasjen me armë

Ndalohet pronari i lokalit, i cili mbeti i plagosur me armë zjarri gjatë një konflikti me disa persona të tjerë.  

Biznesmen 35-vjeçar mbeti i plagosur pas një atentati me armë zjarri në qytetin e Sarandës ditën e djeshme (20 qershor 2021).

Spiro Iljadhi, i njohur edhe me emrin Ermal Iljazi,  mbeti i plagosur rëndë pasi u qëllua me rreth 20 plumba para lokalit të tij në rrugën Turizëm-Kanali i Cukës.

Breshëria e plumbave kapi edhe kalimtarin Marin Jano 33-vjeç, i cili ndodhej në Sarandë për pushime.

''Në vijim të veprimeve për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mëngjesin e ditës së djeshme, në lagjen Nr. 1, Sarandë, ku mbetën të plagosur me armë zjarri shtetasit S. I. dhe M. J., nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Sarandë u bë ndalimi i shtetasit S. I., 35 vjeç, banues në Sarandë. Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi nga veprimet hetimore ka rezultuar se ka qëlluar me armë zjarri pistoletë ndaj personave të tjerë të përfshirë në konflikt, njeri prej tyre i ndaluar dhe 2 të tjerë të shpallur në kërkim nga Policia.'' - njofton policia.  

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave, mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.