Ministria e Shëndetësisë u ndërpret kontratat e punës mjekëve specializantë, Vasili: Vendim arbritrar

Dy muaj pas përfundimit të zgjedhjeve dhe me përmirësimin e situatës me koronavirusin, është vendosur të ndërpriten kontratat me mjekët specializantë. Megjithatë nga ministria deklarohet se ky është një veprim I përvitshëm, pasi çdo punësim kalon përmes portalit.

Ministria e Shëndetësisë ka urdhëruar Operatorin e Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor që të ndërpresë kontratat e punës me mjekët specializantë.

Urdhri mban datën 17 qershor 2021 ndërsa kërkesa i referohet operatorëve shëndetësorë në 4 qarqet: Shkodër, Tiranë, Elbasan dhe Vlorë.

Në vendim thuhet se Drejtoria Qendrore e OSHKSH-së duhet të përgatisë listën e vendeve vakante pas largimit të mjekëve specializantë.

Ndërkohë Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor sqaron se punësimet bëhen vetëm përmes miratimit të Ministrisë së Shëndetësisë.

Burime nga Ministria e Shëndetësisë thanë për Ora News se kjo është një procedurë e përvitshme dhe ka për qëllim punësimin e mjekëve të rinj në sektorin publik të shëndetësisë përmes portalit “Mjekë për Shqipërinë”.

Gjatë pandemisë, Ministria e Shëndetësisë kërkoi ndihmën e mjekëve specializantë që ti bashkoheshin betejës për përballimin e Covid-19 në spitale.

Nuk dihet ende nëse ky vendim vjen për shkak të përmirësimit të situatës së pandemisë, përfundimit të zgjedhjeve parlamentare apo ashtu siç shprehet ministria për t`i hapur rrugë rekrutimeve nga portali.

Ndërkohë, lidhur me këtë masë ka reaguar edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili i cili shkruan në Facebook se ky është një vendim arbitrari Rilindjes.

Sipas Vasili mjekët specialistë kanë një rol të rëndësishëm në spitalet e vendit dhe se pretendimi i Ministrisë së Shëndetësisë se këta mjekë duhet marrin miratimin paraprak të saj është i trashë.

Vasili: Qindra mjekeve specializante rilindja u nderpret Kontraten e Punes! Nje Vendim arbitrar, i pa mend dhe arrogant u nderpret mjekeve specializante kontraten e punes. Kush kupton fare pak mjeksi dhe njeh realitetin e perditshem te spitaleve tona dhe e di shume mire ngarkesen dhe rolin e mjekeve specializante. Pretendimi i Ministrise se Shendetesise se keta duhet marrin miratimin paraprak te saj eshte i trashe dhe pa kuptim. Çdo lek qe kane marre deri tani specializantet eshte miratuar nga Ministria se Drejtorite Rajonale nuk i kane paguar nga xhepi i tyre. Dokumentet e meposhtme tregojne gjithshka.