Rikthimi i Superman, Gigi Buffon pas 26 vjetësh zyrtarizohet te Parma

Nëse është një ditë e trishtë ku Sergio Ramos mbyll zyrtarisht aventurën me Real Madrid pas 16 vjetësh, një tjetër legjendë rikthehet. Në Itali, Giggi Buffon zyrtarisht vendosi të ribashkohet me Parmën pas një shkëputjeje të gjatë prej 26 vjetësh, teksa firmosi një kontratë 2-vjeçare edhe pse në Serinë B.

Në një vendim të tillë nuk vendos më projekti por zemra dhe sigurisht që portieri 43-vjeçar zgjodhi skuadrën që e lançoi në Serinë A kur ishte vetëm 17 vjeç  më 19 Nëntor të vitit 1995.

Video e shoqëruar nga Parma për prezantimin e Buffon është tepër speciale ku duket edhe portieri Superman që rikthehet në shtëpi..

Buffon vendosi disa javë më parë që të largohej nga Juventusi përpara se të mbyllej edhe kampionati dhe deri më 30 Qershor ende është një lojtar bardhezi teksa më 1 Korrik mund të quhet edhe e nisur aventura e re në Serinë B.

Nuk munguan ofertat ekonomike më të mira për veteranin që nga SHBA apo Lindja e Mesme e ndoshta edhe në Europë por ai donte të luante ende si numri 1 dhe nuk kishte vend më të mirë se te Parma për ta bërë.