Nishani: Zgjedhjet në SHBA, leksion për Shqipërinë
Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani ka deklaruar se fushata elektorale në Shqipëri duhet të bazohet mbi platformat dhe idetë.Në një intervistë për “Ora News”, presidenti Nishani duke iu referuar edhe zgjedhjeve në SHBA theksoi se deklaratat e dy kandidatëve Obama dhe Romney janë mesazhe të rëndësishme edhe për politikën shqiptare."Zgjedhjet në SHBA janë një leksion demokracie për të gjithë shtetet e botës dhe padyshim edhe për Shqipërinë e cila pret që të ketë zgjedhjet vitin tjetër. Mesazhi më i madh është ajo që dhanë dy kandidatët të cilët e ngritën fushatën e tyre mbi bazën e projekteve dhe platformave dhe i konsiderojnë ato në interes të popullit amerikan. Ky është mesazhi më mirë që vjen për Shqipërinë. Ajo që është një traditë është urimi i atij që ka humbur garën për kandidatin fitues. Filozofia e garës së demokracisë ka për qëllim implementin e projekteve në interes të zhvillimit të vendit dhe politikave” shtoi Nishani.I pyetur në lidhje me një datë për zgjedhjet apo data do të lihet në minutën e fundit, kreu i shtetit u përgjigj: "Së shpejti do të ketë një dekret për datën e zgjedhjeve. Edhe konsultat me partitë politike ishin në fuksion të datës së zgjedhjeve, për gjetjen e momentit më të përshtatëshëm ndërsa në tërësi mendimi i partive ishte e njëjtë”.Kreu i shtetit gjithashtu ka uruar edhe presidentin e SHBA-së Barack Obama për rizgjedhjen e tij në detyrë ndërsa theksoi se marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve do të vijojnë edhe në të ardhmen."Urimet më të mira për presidentin Barack Obama. Zgjedhjet në SHBA janë padyshim një mesazh i popullit amerikan për të vijuar platformën dhe politikën e zhvillimit të presidentit Obamë që priten të konsolidohen gjatë 4 viteve të ardhshme. Për shqiptarët është një moment i gëzuar pasi presidenti Obama do të vijojë të jetë një mik i shqiptarëve. Shqiptarët e prisnin rezultatin e zgjedhjeve me qetësi të madhe sepse kushdo që të ishtë në Shtëpinë e Bardhë do të ishte një mik i shqiptarëve" tha Nishani.Panariti: Politika shqiptare të udhëhiqet nga vlerat amerikaneEdhe ministri i jashtëm Edmond Panariti i bëri thirrje politikës shqiptare të bashkëpunojë për të përmbushur objektivat që ka vendi.Në një intervistë për “ Ora News”, Panariti theksoi se politika shqiptare duhet të përqafojë vlerat që përcjell politika amerikane.“Unë dua të vlerësoj modelin e qytetarisë dhe të kulturës që këto zgjedhje përçuan në të gjithë botën. Edhe politikës shqiptare i nevojitet të instalojë këto vlera të demokracisë, të kompromisit që kërkohet përpara sfidave që ne kemi përballë. Të dy kandidatët bënë një garë të jashtëzakonshme dhe unë dëgjova edhe fjalimin e presidentit Obama dhe të rivalit të tij Romney. Të dy kandidatët ishin të gatshëm të bashkëpunonin me njëri tjetrin. Duhet që edhe politika shqiptare të instalojë të njëjtën frymë dhe të përqafojë të njëjtat vlera” tha Panariti.