Historia dhe aktualiteti i planifikimit në ekonomi

Politika monetare, si dhe i tërë mekanizmi ekonomik në Shqipëri në periudhën e monizmit (1945-1990), kanë qenë të kushtëzuar tërësisht nga ambienti politik, ideologjik, teorik ,ekonomik, social, e komercial. Dhe nga çdo anë, mbartnin kufizimet e epokës përkatëse, shkëputur nga teoria e ekonomiksit perëndimor në tërësi, apo ideologjia dhe strategjia e Marketingut bashkëkohor në veçanti. Zhvillimet ekonomiko-shoqërore të brendshme si dhe marrëdhëniet politike dhe ekonomike ndërkombëtare, sidomos me partnerët kryesorë të asaj periudhe, kanë përcaktuar dhe lënë vulën e tyre, në radhë të parë, në natyrën, gjerësinë dhe shkallën e shtrirjes së marrëdhënieve të mallit e të parasë në ekonominë shqiptare dhe, në radhë të dytë, në përmbajtjen, funksionin dhe rolin e instrumenteve kryesorë të mekanizmit ekonomikë d.m.th të çmimit, fitimit, interesit dhe pagës, të financimit buxhetor dhe kreditimit bankar, të stimujve materialë e atyre moralë, të drejtimit ekonomik me llogari më vete- hozrashotit dhe të drejtimit administrativ- shtetëror

       1.- Rreth alternativës së zhvillimit të ekonomisë.

Kusht i ekzistencës, përparimit dhe zhvillimit të çdo sistemi ekonomik, në nivel makro por edhe në atë mikro, pavarësisht shtrirjes së tij gjeografike, vendit dhe kohës, është se si i përgjigjet çështjeve themelore: çfarë?, si?, kush?,  kur?dhe për kë do të prodhohen? etj. Për kushtet e Shqipërisë së Pasluftës,  vend me territor të vogël e të kufizuar, me një popullsi kryesisht fshatare dhe 90% analfabete, me një klasë punëtore të vogël në numër e në formim, me prapambetje të madhe teknike, me një rend ekonomiko-shoqëror gjysëm-feudal, dhe marrëdhënie të dobëta kapitaliste, me ekonomi të shkatërruar dhe financa të boshatisura, përgjigja e çështjeve të mësipërme nuk mund të bëhej jashtë përcaktimit të drejtimit që do të merrte vendi dhe kryesisht ekonomia.  Zgjedhja e rrugës së  zhvillimit të ekonomisë bëhej më imperative, sepse vendi kishte mundësi të kufizuara prodhimi, trashëgoi një inflacion në përmasa tepër të mëdha,  tregtia ishte gati e paralizuar dhe në treg përveç drithit mungonin dhe mjaft artikuj të tjerë të domosdoshëm për popullin, si kripa, sheqeri, vajguri, ilaçet e ndryshme etj. Kostoja e jetesës së  punonjësve ishte tepër e shtrenjtë. Rreziku i urisë dhe i sëmundjeve kanoste gjithë vendin.  Në nëntor të vitit 1944 një napolon ari këmbehej me 520 franga shqiptare, kundrejt 20 fr.ari që ishte kursi i tij më l938, ndërsa kostoja e jetesës së popullit në vitin 1945, llogaritej në rreth 2400 fr. afërsisht mbi 30 herë më shtrenjtë ndaj atij të tremujorit të parë të vitit 1939 dhe dy herë më shumë se rrogat dhe mëditjet mesatare të nëpunësve ose punëtorëve të këtij viti.  Kjo situatë shtronte urgjentisht për zgjidhje:

-          rindërtimin e vendit të shkatërruar nga lufta dhe futjen në rrugën e zhvillimit normal të ekonomisë;

-          në kushtet kur popullsia kërcënohej nga rreziku i  urisë sigurimi i bukës krahas me artikujt e tjerë të domosdoshëm për jetesën e popullit, si dhe mbyllja e shtigjeve të çdo lloj spekulimi dhe tregut të zi, ishte detyrë e dorës së parë;

-          vendosjen e lidhjeve të reja ekonomike ndërmjet industrisë dhe bujqësisë dhe midis fshatit e qytetit.

Përcaktimi i drejtimit që do të merrte zhvillimi i ekonomisë përbente edhe çelësin e zgjidhjes së problemeve të mësipërme.  Në atë kohë dy alternativa zhvillimi shtroheshin:e para, ose do të ndërtohej një rend dhe një sistem ekonomiko-shoqëror monopartiak, me ekonomi të centralizuar, pa pronë private dhe iniciativën e lirë, sipas modelit të Lindjes  dhe e dyta,  do të ndërtohej një rend e një sistem ekonomiko-shoqëror demokratik i tipit perëndimor dhe pluralist, mbështetur në pronën private dhe në ekonominë e tregut të lirë, sipas parimit të njohur “laissez fair”.  Rrethanat e krijuara, kur në pushtet kishin ardhur forcat që bën luftën të bashkuar rreth Frontit Nacional Çlirimtar dhe kur krerët e organizatave nacionaliste, ishin larguar bashkë me okupatorët dhe, nuk përbënin faktor të zhvillimeve të brendshme të vendit, alternativa e zhvillimit që gjeti miratim, nuk mund të ishte tjetër veçse, alternativa e parë, e parashtruar nga PKSH-ja, që ishte e vetmja parti që drejtonte shtetin. Këtë detyrë e zgjidhi përfundimisht Plenumi i V i KQ të Partisë, i shkurtit  1946. Ai duke  kritikuar ashpër qëndrimin dhe pikëpamjet liberale e oportuniste të Sejfulla Malëshovës, në atë kohë President i Bankës dhe Kryetar i Komisionit Ekonomik,  për praninë e “ dy ekonomive paralele” dhe si përkrahës e nxitës i alternativës së dytë të  zhvillimit, dha orientimin  “Çdo gjë për forcimin e sektorit të shtetit, luftë të pamëshirshme kapitalit privat”. Me orientimet e tij, Plenumi shënoi mbylljen e diskutimeve për alternativat e zhvillimit që duhej ndjekur dhe pas tij vendi do të futej në rrugën e shndërrimeve socialiste dhe të ndërtimit të rendit socialist. Me këtë orientim, Plenumi përcaktoi edhe natyrën , si edhe përmbajtjen e politikës monetare dhe në tërësi të mekanizmit ekonomik, që do të ndiqej pas Çlirimit të vendit. Zbatimi i tyre është realizuar në tre etapa kryesore:

Zotërimi nga ana e shtetit të marrëdhënieve të mallit e të parasë  

Etapa e parë, ka të bëjë me ethet dhe dhimbjet e lindjes dhe kap periudhën 1944 deri më 1948. Ka si karakteristikë kontrollin dhe zotërimin nga ana shtetit monist të marrëdhënieve të mallit e të parasë. Në këtë kuadër u zbatua shpejt dhe me dhunë një program i gjerë shndërrimesh me karakter demokratik e socialist, me synim shkëputjen nga duart e borgjezisë vendase, të kapitalit financiar të huaj dhe të çifligarëve të gjithë pasurisë dhe përqendrimin  në duart e shtetit të mjeteve kryesore të prodhimit e të qarkullimit, hedhjen e bazave për një sistem ekonomik pa shtypës e pa të shfrytëzuar. Për këtë qëllim  u shpronësuan menjëherë shtresat e popullsisë që kishin bashkëpunuar me pushtuesit; u shtetëzuan minierat, shoqëritë aksionere dhe fermat që zotëroheshin nga kapitali financiar i huaj dhe ai vendas; u godit kapitali i madh tregtar që gjatë luftës kishte siguruar fitime përrallore; u shtetëzuan Bankat dhe u vu nën kontroll qarkullimi monetar, u krye reforma agrare që zhduku klasën e çifligarëve dhe e bëri fshatarin zot të tokës dhe të mjeteve të punës; u krijua sektori shtetëror dhe ai kooperativist në tregti; u krijua sistemi i ri financiar dhe pushuan së vepruari ligjet e vjetra ekonomiko-financiare; u vu nën kontroll dhe u disiplinua lëvizja e lirë e çmimeve me pakicë dhe me shumicë; u hodhën hapa për një politikë unike e të centralizuar në formimin e tyre;  u zbatua një sistem i veçantë grumbullimi dhe furnizimi i racionuar përmes triskave, etj. Të gjitha këto së toku lejuan kalimin në duart e shtetit monist, me përjashtim të bujqësisë, të pozitave kyçe të ekonomisë dhe e bënë atë furnizuesin, administratorin dhe rregulluesin e vetëm të jetës ekonomike e të marrëdhënieve të tregut.  Për zbatimin e këtij programi,  vështirësitë nuk ishin të pakta. Mungonin mjetet materiale dhe financiare, ndërsa eksportet nuk përballonin dot nevojat në rritje të importit, si për mallra konsumi ashtu edhe për makineri, lëndë të para e materiale të tjera. Mungonte gjithashtu edhe përvoja ose arti i drejtimit dhe i administrimit të ekonomisë. Nga ana e tyre, klasat e përmbysura nga pushteti politik, duke ëndërruar për ”parajsën e humbur “, në luftë kundër programit ekonomik të hartuar nga pushteti,  përdorën gjithë avantazhet që u kishin mbetur, krijuan turbullira e bënë sabotime në jetën ekonomike, duke  shkaktuar vështirësi në zhvillimin e ekonomisë dhe në furnizimin e popullit. Ndërkohë marrëveshjet ekonomike me Jugosllavinë, miratuar në nëntor të vitit 1946, për koordinimin e planeve, barazimin e monedhës, njësimin e çmimeve dhe bashkimin doganor, e vinin Shqipërinë nën kontroll të plotë ekonomik dhe politik të Jugosllavisë. Së bashku me mos livrimin  nga ana e Jugosllavisë të kredisë dhe mos dërgimit të mallrave të parashikuara, si dhe të çuarjes në Jugosllavi të asaj sasie të pakët malli që kish tregu shqiptar, ato krijuan vështirësi serioze. Në banka u grumbulluan sasi të mëdha dinarësh, u ul vlefta e lekut, vendi u zhyt në një inflacion të madh, me ndikime të ndjeshme në mbulimin e fuqisë blerëse. Për kapërcimin e tyre shteti monist  u mbështet në rezervat materiale e financiare që dispononte vendi dhe në kryerjen e reformave fiskale e monetare dhe të reformave të tjera. Të ardhurat nga tatimi i jashtëzakonshëm mbi fitimet e luftës për vitet 1945-1946, përbënin mbi 50% të të ardhurave të buxhetit të shtetit. Nga ana tjetër, vulosja ( syrsharzhimi ) e monedhës, mbylli shtigjet për depërtimin nga jashtë të kartëmonedhave që kishin marrë me vete të  arratisurit politikë dhe pakësoi qarkullimin monetar rreth 20%, ndërsa  reforma monetare, duke këmbyer monedhat e vjetra me ato të rejat, në raport 5 me 1 dhe deri në 5000 franga shqiptare për çdo familje i krijoi mundësi shtetit të tërheqë nga duart e borgjezisë një pjesë të mirë të parasë dhe të sigurojë një pakësim  të kartëmonedhave në qarkullim  në masën 8 herë. Në kapërcimin e vështirësive, shteti monist kishte mbështetjen kryesoreentuziazmin e madh dhe mobilizimin e paparë të masave, të lindura që nga Lufta  dhe përforcuar ngashtetëzimi pa shpërblim dhe i dhunshëm i pasurisë dhe i kapitalit të shtresave të pasura. Mbi këtë bazë shpërthyen kudo puna vullnetare dhe aksionet masive të masave për rindërtimin e vendit dhe zhvillimin e shpejtë të ekonomisë. Rezultat i tyre ishte ndryshimi, brenda një kohe të shkurtër, i strukturës së prapambetur ekonomiko-sociale të vendit, kalimi në krijimin e ekonomisë shumëformëshe, dhe në zotërimin nga ana e shtetit të pozitave komanduese të ekonomisë. Në vitin 1947 sektori shtetëror zotëronte 100 % të industrisë, të tregtisë së jashtme, në financat dhe në bankat, ndërsa në tregtinë me pakicë sektori shtetëror së bashku me atë kooperativist përfaqësonte 95% të qarkullimit të mallrave. Ato gjithashtu krijuan premisat e nevojshme për kalimin, duke filluar nga viti 1947, në drejtimin e ekonomisë mbi bazën e planit direktivë shtetërore, krahas me veprimin e cunguar të marrëdhënieve të mallit e të parasë e të kategorive ekonomike që lidhen me to.

Mekanizmi ekonomik gjatë ndërtimit të bazës ekonomike të socializmit

Etapa e dytë përfshin periudhën e ndërtimit të bazës ekonomike të socializmit, 1949-1960 dhe ka si karakteristikë përdorimin e kategorive ekonomike, në kuadrin e drejtimit me plan,  si leva të fuqishme për nxitjen e punonjësve në realizimin e detyrave.  Zhvillimi i ekonomisë nuk mund të bazohej për një kohë të gjatë vetëm në entuziazmin e masave dhe në emulacionin. Ai duhej të mbështetej te stimuli ekonomik dhe nxitja materiale për arritjen e rezultateve të larta dhe për ngritjen e rendimentit në punë. Për t’ju përgjigjur kushteve që kërkonte drejtimi i planifikuar  shtetëror i ekonomisë u riorganizua drejtimi ekonomik i ndërmarrjeve mbi bazën e llogarisë më vete, që siguronte udhëheqjen e e centralizuar nga ana e shtetit me pavarësinë ekonomiko-operative të tyre në realizimin e detyrave. U përsosën kriteret e formimit dhe struktura e çmimeve, bashkë me to edhe kriteret e përdorimit nga ana e ndërmarrjeve të fitimit të planifikuar dhe atij jashtë planit, buxheti i shtetit u bë plani kryesor financiar i ekonomisë me objektiv kryesisht  zhvillimin e ekonomisë dhe të sektorëve social-kulturor, tatimet e humbën karakterin e tyre fiskal, ndërsa banka e shtetit e bë qendër e vetme e emetimit të monedhës, e llogarisë dhe e kreditit dhe për të mënjanuar lindjen e debi-kredive mes ndërmarrjeve ekonomike përdori gjerësisht kredinë për mallrat në udhëtim, ose të ashtuquajturin akreditiv etj. Njëkohësisht e vu mbi baza më të drejta sistemi i shpërblimit sipas punës, me synim stimulimin material të punës së kualifikuar, punës së rëndë etj. Duke u përballur me vështirësitë e shumta që krijonte sistemi në fuqi i grumbullimit dhe i furnizimit, duke filluar nga janari 1949, shteti u detyrua ta ndryshonte atë, duke kaluar në një sistem të ri, i ngjashëm me të ashtuquajturën Politika e Re Ekonomike ( NEP-i), që  u zbatua në Rusinë Sovjetike, në vend të ashtuquajturit komunizmi i luftës. Sistemi i ri i grumbullimit dhe i furnizimit parashikonte: a) fshatarësia të dorëzonte si detyrim ndaj shtetit një sasi prodhimi me çmime shumë të ulëta, b) tepricat e prodhimeve bujqësore e blegtorale, administroheshin nga vet ajo dhe mund t’i nxirrte lirisht e t’i shiste në treg ose t’ia shiste shtetit me çmime më të larta, se ato të dorëzimit të detyrueshëm, c) furnizimi i popullsisë në qytet do të vazhdonte të kryhej në mënyrë të garantuar, përmes sistemit të triskëtimit, duke përjashtuar nga ky furnizim tregtarët privatë, pronarët e restoranteve, të hoteleve, zejtarët e pakooperuar dhe fshatarësinë. ç) fshatarësia, nevojat e veta për prodhime industriale do t’i plotësonte përmes tregut reciprok, në shkëmbim të tepricave të prodhimit të vet bujqësor e blegtoral me prodhime industriale, d) nevojat e popullsisë së qytetit ose të fshatit mbi ato të furnizimit të garantuar ose të shkëmbimeve në tregun reciprok, plotësoheshin në tregun e lirë shtetëror dhe në tregun e lirë privat . Në vijim u punua për përgatitjen e kushteve ekonomike për heqjen e sistemit të triskëtimit, i cili nuk përputhej me kërkesat e shpërblimit sipas punës, si dhe nuk krijonte plotësisht mundësi që çdo punonjës, me pagën që merrte, të blinte lirisht në treg, duke përcaktuar vetë radhën e plotësimit të nevojave për mallra të ndryshme konsumi. Kjo sepse, ndërsa sasia e të ardhurave përcaktohej nga sasia dhe cilësia e punës së kryer nga secili,  shpërndarja e mallrave të konsumit me anë të triskave bëhej në bazë të personave që kishte në ngarkim çdo punonjës. Rrjedhimisht, në kushtet e çmimeve të ulëta të tregut të garantuar, një punëtor i pakualifikuar, që kishte në ngarkim më shumë persona, pavarësisht se bënte një punë të thjeshtë merrte për konsum vetjak dhe të familjes më shumë mallra konsumi sesa një punonjës tjetër që bënte një punë më të rëndë ose më të kualifikuar, por që kishte në ngarkim më pak njerëz. Ndërkohë përgatitja e kushteve për heqjen e sistemit të triskëtimit do të nxiste materialisht punonjësit e qytetit dhe të fshatit për rritjen e rendimentit në punë, si kusht për të siguruar të ardhura më të mëdha dhe për të plotësuar më mirë nevojat e tyre materiale e kulturore. Për këtë, deri në fund  të vitit 1957, u bënë disa ulje çmimesh të shitjes me pakicë dhe u zbatuan masa të tjera favorizuese për popullin me një përfitim vjetor prej 4, 2 miliardë lekësh. Njëkohësisht u zbatuan masa lehtësuese në fushën fiskale ndaj  fshatarësisë përmes uljes ose faljes se tatimeve  financiare të prapambetura, të uljes së normave të dorëzimit të detyrueshëm dhe të ngritjes së nivelit të çmimeve të grumbullimit, etj. Si rrjedhim i tyre, ndërsa në vitin 1955 fshatarësia paguante tatime e taksa në të holla ose në natyre 2,1 miliardë lekë, në vitin 1961 këto llogariteshin në 874 milionë lekë, ose rreth 2,5 herë më pak. Zbatimi i këtyre masave,  si edhe përdorimi në interes të zhvillimit të ekonomisë nga njëra anë, ikreditit shtetëror në formën e huave shtetërore dhe të depozitave të kursimit në Bankë, si dhe nga ana tjetër, të ndihmave ekonomike e të kredive  nga BS-ja dhe  në tërësi nga shtetet e bllokut të Lindjes, dha impulse të reja shtytëse zhvillimit e përparimit të vendit.  Me realizimin e planit të dytë pesëvjeçar, në fund të vitit 1960,  shteti monist shpalli ndërtimin e bazës ekonomike dhe futjen e vendit në etapën e ndërtimit të bazës materialo-teknike të socializmit. Shqipëria nga vend agrar i prapambetur u shndërrua në një vend bujqësor-industrial, u hoq plotësisht sistemi i triskëtimit e në lidhje me të tregu i garantuar dhe ai reciprok dhe u kalua në sistemin unik të tregut shtetëror, krahas me praninë edhe të tregut fshatar kooperativist. U përsosën format e qarkullimit të mallrave, u krijuan kushte për zbatimin më të mirë të parimit të shpërndarjes sipas sasisë dhe cilësisë së punës, etj. Ndërtimi i bazës ekonomike të socializmit likuidoi çdo lloj prone private, dhe pronën shoqërore, shtetërore dhe kooperativiste e bëri formë sunduese në marrëdhëniet në prodhim. Mbi këtë bazë, në Shqipëri, siç ka nënvizuar profesori i nderuar Aristotel Pano, krahas monizmit shtetëror dhe atij ideologjik partiak u vendos edhe monizmi ekonomik, ai i pronës dhe i çdo veprimtarie tjetër ekonomiko-shoqërore në çdo fushëKjo shënoi njëkohësisht edhe sundimin e plotë të planifikimit natyror shtetëror direktiv, të gërshetuar me përdorimin e disa kategorive ekonomike të cunguara e gjysmake, që lidhen me prodhimin e qarkullimin e mallrave dhe veprimin e kufizuar të ligjit të vlerës.

Mekanizmi ekonomik gjatë etapës së ndërtimit të plote te socializmit.

Etapa e tretë kap periudhën e ndërtimit të plotë të shoqërisë socialiste, vitet 1960-1990. Karakteristikë e saj është drejtimi mbi bazën e planit natyror shtetëror direktivë dhe të përdorimit të cunguar dhe të kufizuar të marrëdhënieve monetare. Më tej është edhe lufta kundër çdo lloj ekonomizmi. Në përcaktimin e politikës monetare dhe të mekanizmit ekonomik gjatë kësaj etape, përveç ndikimit që ushtroi  ndihma materiale dhe mbështetja ekonomike nga ana e Kinës, shtysë të veçantë  ushtroi edhe zbatimi i përvojës nga zhvillimi i të ashtuquajturit revolucioni kulturor  kinez.  Në planin e brendshëm, si faktorë endogjen  në politikat monetare dhe mekanizmin ekonomik ndikuan: vënia e politikës së Partisë në plan të parë, zbatimi i parimit të mbështetjes në forcat e veta dhe ndalimi i marrjes së çfarëdo lloj ndihme e kredie nga vendet kapitaliste dhe revizioniste. Zbatimi i një regjimi të rreptë kursimi kudo e në çdo gjë, heqja dorë gradualisht nga interesi individual e stimulimi ekonomik material dhe dhënia përparësi e interesit të përgjithshëm dhe të stimujve moralë, ecja graduale në zbatimin e tezës staliniane se ‘për kalimin në ndërtimin e shoqërisë komuniste, prodhimi i mallrave dhe ligjet e kategoritë ekonomike që lidhen me të, duhet të shkojnë vazhdimisht duke u ngushtuar e kufizuar deri sa të vijë likuidimi i plotë i tyre’. Në këtë kuadër u hoqën nga praktika ekonomike mbi 200 lloje shpërblime të ndryshme suplementare dhe u kalua në një farë barazitarizmi në shpërblime, duke vendosur raportin 2 me 1 midis pagave maksimale dhe atyre minimale etj. Shkurt nga çdo pikëpamje u mbivlerësua plani dhe ana materiale natyrore dhe u mohua  roli i tregut,  i  mekanizmave ekonomike dhe i iniciativës së lirë, d.m.th i parimit të njohur “laissez fair “ në zhvillimin e ekonomisë. Ndërsa, ndër faktorë kryesorë eksogjen  që ndikuan ishin krahas pranisë dhe acarimit të Luftës së Ftohtë të vendeve perëndimore kapitaliste mbi ekonominë, ndikim ushtroi edhe shkëputja e çdo lloj marrëdhënieje dhe ndihme ekonomike me BS-në  si dhe acarimi i krizave të ndryshme ekonomike dhe energjetike të botës kapitaliste e revizioniste. Faktorët e jashtëm, nuk ushtronin ndikimin e tyre të drejtpërdrejtë në njësitë ekonomike të veçanta dhe nuk i çonin ato drejt falimentimit. Por në të kuadrin e mbarë ekonomisë së vendit ndikimi i tyre ishte i plotë dhe mjaft i ndjeshëm. Në kushtet e mbështetjes në forcat e veta, të rendimentit të ulët në punë, si rrjedhojë e prapambetjes tekniko-shkencore të prodhimit dhe të mos marrjes së kredive e të ndihmave nga jashtë, përballimi i këtij ndikimi nuk mund të bëhej ndryshe veçse me përdorimin jo racional dhe pa efektivitet të faktorëve të zhvillimit ekonomikë, me mbajtjen në një niveli të ulët të konsumit të popullit  dhe me shtimin e sakrificave dhe të masave. Rezultat logjik i këtij kursi nuk ishte ngritja e  mirëqenies,së punonjësve si qëllimi themelor i prodhimit, që trumbetohej nga  partia-shtet, por shfaqja në  formë të re e dukurive negative, që janë  bashkudhëtare të ekonomisë se prodhimit dhe te qarkullimit te mallrave. Sidomos nga mesi i viteve ‘70, me prishjen edhe të marrëdhënieve ekonomike me Kinën, disproporcionet në ekonomi dhe mospërputhjet ndërmjet anës materiale dhe asaj vlerore të prodhimit, që çonin në mospërputhjen e ofertës së mallrave me kërkesat e konsumatorëve dhe në mos plotësimin e shportës së zonjës së shtëpisë,  filluan të shfaqen me tërë forcën e tyre, në formën : a) eracionimit të konsumit të popullatës, përmes të talloneve dhe listave, që u shtri jo vetëm në mallra të tilla si televizorë dhe pajisjet elektro-shtëpiake, por edhe për mallrat bazë të konsumit, si në qytet por edhe në  fshat, b)  të krijimit të radhëve pa fund para dyqaneve, c) të nxitjes së prirjeve negative, dëmtimeve dhe vjedhjeve masive të pronës shoqërore dhe raportimeve fiktive për punën dhe për realizimin e planeve, ç) të zbehjes së interesit për punë dhe për ngritjen e rendimentit, në kultivimin e dembelizmit e të parazitizmit etj., d) të krijimit të pareve “të tepërta” në xhepat e popullatës dhe të uljes së aftësisë blerëse të saj.

Gjendja ekonomike u përkeqësua më tejnë fillim të viteve 80, pas masave për shoqërizimin e o borrit kooperativist dhe tufëzimin kolektiv të bagëtive të anëtarëve të kooperativave bujqësore, si dhe të shndërrimit të kooperativave të tipit lartë në ndërmarrje bujqësore. Shoqërizimi i oborrit dhe tufëzimi i bagëtive, e shndërroi fshatarin nga prodhues në konsumator, njësoj si edhe punëtori në qytet. Kjo masë zhduku edhe interesimin e fundit material të fshatarësisë kooperativiste për shtimin e prodhimit, përmes iniciativës së lirë individuale të saj. Trajtuar, së bashku edhe me  shtetëzimin pa shpërblim të mjeteve të prodhimit të kooperativave të tipit te lartë, që shndërroheshin në ndërmarrje bujqësore shtetërore, ato shënonin kalimin gradual drejt kufizimit dhe zhdukjes së prodhimit dhe të qarkullimit të mallrave,  dhe të kategorive ekonomike që lidhen me të dhe të veprimit të ligjit të vlerës. Siç  kanë theksuar mjaft studiues të huaj që kanë studiuar të ashtuquajturën përvojë shqiptare, me këto masa Shqipëria u shndërrua në një fushë eksperimentale unike, në një laborator eksperimentimi të ideve autarkike e voluntariste të Enver Hoxhës, për prodhimin e bukës në vend, e të mbështetjes në forcat e veta në kushtet e rrethimit të egër borgjezo-revizionist, të udhëhequr nga slogani “bar do të hanë shqiptarët, por nuk i nënshtrohen dhe nuk i zgjasin dorën imperializmit”. Në vitet ‘80, gjithçka fliste se vendi ndodhej para një kolapsi të madh, një krize dhe katastrofës ekonomike. Detyrat e planit nuk realizoheshin, mungesat në treg shtoheshin vazhdimisht, sasia e mallrave për konsum kufizohej dhe vështirësohej plotësimi i nevojave të punonjësve. Në tërësi konsumohej më shumë se sa prodhohej. Statistikat tregojnë se në fund të këtij dhjetëvjeçari, produkti i brendshëm bruto për frymë të popullsisë llogaritej në 575 USD, ose mesatarisht 1,6  dollarë në ditë, çka flet se vendi ishte në një varfëri të plotë; mjetet monetare të lira të popullatës llogariteshin rreth 1,2 miliardë lekë, ose mbi 10% e të ardhurave monetare gjithsej të saj, nga të cilat; në formën e parave në dorë 441 milionë lekë. Në të njëjtën kohë, në vitin 1990, gjendja e rezervave ishte pakësuar për 1,7 miliardë lekë, eksporti neto si element i formimit të PBB-së  paraqitej minus 1,2 miliard lekë, deficiti buxhetor shtohej nga viti në vit etj. Megjithëse me Kushtetutë ndalohej marrja e kredisë nga jashtë, borxhi tregtar, si rrjedhojë e tejkalimit të ndjeshëm të importit ndaj eksportit,  llogaritej në disa qindra milionë dollarë. Është rrjedhojë e politikës ekonomike së ndjekur dhe të mekanizmit ekonomik të përdorur, që nga mesi i viteve ‘80, Ramiz Alia,  i ndodhur para krizës së thellë ekonomike, u mundua pa  sukses, që përmes thellimit tëdemokratizimit të jetës të vendit të ringjallte ekonominë e shkatërruar dhe të falimentuar. Këtij qëllimi i shërbenin, heqja dorë nga shoqërizimi i oborrit dhe tufëzimi i bagëtive të anëtarëve të kooperativës, si dhe zbatimi i të ashtuquajturit “mekanizmi i ri ekonomik”. Për këtë qëllim u miratuan dhe një sërë ligjesh  e dispozitash, që së toku shënonin kufizimin e veprimit te planifikimit të centralizuar shtetëror, heqjen dorë nga vënia në plan të parë të politikës së Partisë dhe lejonin që krahas burimeve e kapitalit të brendshëm, për nxitjen e prodhimit, të mund të përdorej edhe kapitali i jashtëm dhe një sërë masash te tjera. Por, masat e mësipërme u shpallën dhe filluan të zbatoheshin shumë vonë. Ekspozeja e shkurtër më sipër tregon se, sistemi ekonomik dhe instrumentet e tij, mbështetur në përparësinë e planit ndaj tregut, që u zbatua në periudhën e monizmit, nuk ishte gjë tjetër veçse  një lloj hibridi ekonomik, që vepronte jashtë kërkesave të ligjeve ekonomike objektive. Teorikisht, por edhe praktikisht, ai nuk mundi të siguronte plotësimin e nevojave gjithnjë në rritje të punonjësve, mbi bazën e shtimit të pareshtur të prodhimit mbështetur në tekniken e përparuar. Kështu planifikimi natyror i centralizuar nuk mund të luante rolin e “dirigjentit” në drejtimin e ekonomisë, sepse kur gjithçka i nënshtrohej planifikimit dhe mohohej roli i tregut, jo çdo gjë mund të funksiononte me “përpikmërinë e mekanizmit të sahatit“.  Planifikimi natyror direktivë shtetërore mohonte veprimin e bashkërenduar dhe rolin e agjentëve të tjerë në zhvillimin e ekonomisë, sidomos rolin e “dorës së fshehtë”, siç e quante Adam Smithi ,tregun me mekanizmin e tij.  Praktika tregoi se i bazuar në politizimin e gjithçkaje, në parullat ideologjike dhe në dëshirat voluntariste, dhe jo në nxitjen ekonomike dhe interesin individual material,  sistemi i drejtimit mbështetur në planifikimin natyror direktivë, e humbi garën ekonomike dhe çështjes “ Kush ? Cili? “ nuk  i dha përgjigje në favorin e vet. Rrjedhimisht ai nuk mundi të mënjanonte nga jeta ekonomike dukuritë negative të ekonomisë së prodhimit e të qarkullimit të mallrave. E vetmja gjë që siguroi ishte: nga njëra anë, vendosjen me dhunë të barazisë së plotë ekonomike  të popullit në varfëri, me përjashtim të nomenklaturës dhe hierarkisë partiake e shtetërore,  dhe nga ana tjetër, ndryshimin e formës së shfaqjes së krizave, inflacionit, papunësisë etj.

Përfundime:

Nga analiza sa sipër konkludojmë:

Së pari: Planifikimi i centralizuar direktivë shtetërore, edhe duke përdorur metodat e përparuara të zbatimit të matematikës në ekonomi, që lejon teknika moderne elektronike, nuk mund të mbajë parasysh e të parashikojë kërkesat dhe preferencat jo të njëjta e jo të barabarta të miliona njerëzve, me nivele të ndryshme të ardhurash dhe që janë në ndryshim e vazhdimisht në rritje.

Se dyti:, Në kushtet e ekonomisë së planifikuar shtetërore, paraja nuk mund të ishte e as mund të luante rolin e ekuivalentit të përgjithshëm, por vetëm rolin e njësisë shprehëse edhe llogaritëse, si dhe funksionet si mjet pagese  e qarkullimi dhe mjet akumulimi e kursimi nga ana e popullatës. Ndërsa çmimet e mallrave të konsumit, duke qenë se ishin të pandryshueshme dhe caktoheshin jo në treg, por nga organet shtetërore në mënyrë të planifikuar, nuk mund të ishin shprehëse në para të vlerës së mallrave, as edhe të luanin rol të veçantë mbi sasinë dhe cilësinë e prodhimit dhe të konsumi.

Së treti: Nga sa më sipër, nuk do të thotë se ne shprehemi kundër çdo lloj planifikimi ose programimi në  zhvillimin e ekonomisë. Përvoja bashkëkohore tregon se në kushtet e vendeve në zhvillim dhe me një nivel të ulët të përparimit tekniko-shkencor, siç është Shqipëria, një planifikim ose programim i tillë është tepër i domosdoshëm për të bashkërenduar ndërhyrjen e shtetit në ekonomi, me veprimtarinë e lirë të iniciativës private dhe të mekanizmit të tregut

Së fundi: Krahas anëve negative që nuk mund t’i mënjanonte planifikimi i centralizuar natyror, sigurisht që gjatë kësaj periudhe u arritën edhe përparime në zhvillimin ekonomik-social te vendit. Por kjo s’do të thotë se në kushtet e një sistemi demokratik, që të nxiste iniciativën e lirë dhe të lejonte praninë e pronës private dhe konkurrencën e gjithë agjentëve në treg, këto arritje e përparime  mund të ishin edhe më të mëdha . Nga ana tjetër, duhet nënvizuar se përparimet e kryera, nuk shprehnin epërsinë e rendit socialist, siç i trumbetonte ato propaganda moniste, por ishin rezultat i një dhune të fortë e të sakrificave të mëdha të ushtruar nga diktatura e proletariatit mbi gjithë popullin, në radhë të parë ndaj  fshatarësisë, por edhe ndaj  vet- komunistëve, i izolimit total  të vendit nga bota e jashtme, i rregullave të rrepta e kufizuese të lëvizjes brenda vendit të popullsisë, i mbajtjes së një norme të lartë akumulimi dhe të një niveli tepër të ulët konsumi për popullin.

Burimi