I jepet lamtumira e fundit Lirak Bejkos

I jepet lamtumira e fundit Lirak Bejkos.Trupi i pajetë i tij mbërriti në institutin e të përndjekurve politik në Tiranë rreth orës 11:00 dhe për dy orë më radhë para tij janë përulur miq,qytetarë dhe politikanë.Në homazhet për nder të Lirak Bejkos mori pjesë edhe kryetari i PS Edi Rama sëbashku me disa deputët të kësaj force politike.Rama preferoi ta kalojë në heshtje këtë moment duke mos folur për mediat. Por ai ka reaguar në “Twiter” duke u shprehur se Liraku u nda nga njerëzit e tij më të afërt nga arroganca e pushtetit.“Lamtumira për Lirakun mes njerëzish të vrarë 22 vjet në çdo shpresë prej atyre që u morën votën dhe u ofruan veç një ferr të ri zhgënjimesh.  E pashlyeshme pamja ëngjëllore e dy vajzave jetime që babanë e dalë gjallë nga ferri komunist ua treti në flakë ferri i ri i zhgënjimeve. E pamundur të harrohen nëna dhe gruaja e të ndjerit të ndarë forcërisht prej tyre nga fuqia shkatërruese e arrogancës së këtij pushteti! U prehtë në paqen që se gjeti dot asnjë sekondë në rrugën e vet nga një ferr në tjetrin dhe shërbeftë akti i tij për një reflektim dinjitoz” shkruan Rama.Gjithashtu homazhe kanë zhvilluar edhe përfaqësues të aleancës Kuqezi. Ata  kanë akuzuar qeverinë për vdekjen e tij ndërsa i kanë bërë thirrje qytetarëve që ta ndëshkojnë me votë kryeministrin Berisha.“Kemi humbur një njeri të mrekullueshëm.  Sot Shqipëria ka një pishtar të demokracisë më pak. Lirak Bejko është pishtar që nuk do të shuhet në zemrat e shqiptarëve. Në 100 vite  pavarësi nuk ishte njohur një vdekje e tillë.  Ne shpresojmë të ketë mbetur pak ndërgjegje për të reaguar.  22 vite më parë, njerëzit vriteshin burgjeve, sot vriten në mes të ditës.  Lirak Bejko dhe shokët e tij ishin desidentë të një regjimi politik që ende nuk është rrëzuar.  Ka ardhur koha që Berisha të marrë përgjigjen e merituar dhe atë duhet t'ia japë populli” kanë theksuar përfaqësuesit e AK-së.Në ceremoni morën pjesë edhe përfaqësues të FRD, ku deputeti Gazmend Oketa u shpreh se kjo ngjarje nuk duhet të politizohet por të shërbejë si moment reflektimi.Ndërsa për ti dhënë lamtumirën Bejkos kishte dalë nga spitali edhe Gjergj Ndreca,nga ku kurohet për djegjet që mori gjatë grevës së urisë,ku  dhe ai tentoi të vetëdigjej. Ndreca deklaroi se ai do ta çojë amanetin e mikut të tij deri në fund, duke nënkuptuar protesta dhe sakrifica të tjera për çështjen e ish të përndjekurve.Pas dy orësh homazhe dhe me himnin kombëtar në sfond trupi i pajetë i Lirak Bejkos u nis drejt varrezave të Sharrës.