Spahia: Proçesi i delimitarizimit histori suksesi, opozita spekuloi

Debati dhe akuzat e opozitës kundrejt Ministrisë së Mrojtjes për abuzime me shitjen e armëve dhe pronave nuk janë asgjë tjetër vetëm spekulime. Kështu ka deklaruar në RTV Ora News zëvendës.ministri i Mbrojtjes Ekrem Spahia në një intervistë me drejtorin e Informacionit Patrik Sadikaj, duke ironizuar se e gjithë tentativa e opozitës ishte një lloj publiciteti për gjithë punën e bërë të këtij dikasteri si në delimitarizimin e armëve ashtu edhe në kthimin e pronave të tepërta në duart e ish pronarëve. Duke vlerësuar punën e deritanishme , Spahia tha se 6 mujori i parë i 2013 do ti japë fund municioneve të tepërta, po kështu depot e liruara prej tyre do të certifikon dhe më pas do ti kalojnë Ministrisë së Ekonomisë dhe asaj të Financave për privatizim. Lidhur me këtë tre janë destinacionet ku do të shkojnë këto prona të tepërta të ushtrisë, atje ku ka pronar tek pronari, në rast të kundërt për kërkesa vendore të shtetit dhe në mungesë edhe të kësaj alternative do të dalin në ankand për privatizim.“Procesi i delimitarizimit është një histori suksesi nisur nga puna e bërë gjatë këtyre viteve. Ka pasur një punë të vazhdueshme të opozitës për ta penguar këtë proces. Vazhdojmë punën me ritme të larta në këtë drejtim, vetëm gjatë muajin tetor janë delimitarizuar 2011 ton. Për periudhën janar-tetor, 21063 ton, ku prej tyre 4063 ton janë eksportuar. Nuk ka asnjë lloj abuzimi. Në fillim opozita artikuloi fjalën trafik, gjë e pamundur në një vend anëtar të NATO-s. Sasia e mbetur është rreth 17000 ton, kemi bindje të plotë që do përfundojë në 6 mujorin e parë 2013. Ky ishte një detyrim jo vetëm ndaj NATO-s, por edhe për sigurinë kombëtare. Duke boshatisur këto depo bëjmë certifikimin e tyre dhe pastaj këto objekte sëbashku me pronën, plotësohet dosja dhe kalojnë në Ministrinë e Ekonomisë dhe atë të Financave për privatizim. Të gjithë pronarët që kanë dokumenta që përputhen me këto prona, të interesohen dhe të marrin pronat e tyre legjitime. Nëse ska as pronarë dhe as kërkesa vendore do dalin në ankand për të interesuarit për privatizim. Ne i falenderojmë deputetët e opozitës për publicitetin e bërë gjatë kësaj periudhe për pronat e ushtrisë, ndërsa theksoj se akuzat e opozitës janë vetëm spekulime” deklaroi Spahia.Spahia nënvizoi gjithashtu se Ministria e Mbrojtjes, nisur dhe nga detyrimet që ka ndaj Aleancës së Atlantikut si anëtare e saj është fokusuar jo vetëm në asgjesimin e municioneve të tepërta por dhe në modernizimin e FA,ku shtoi se Mbrojtja është në rrugë të mbarë për armatimin bashkohor të forcës ajrore, detare dhe tokësore, po kështu dhe në aplikimin e teknikave të reja luftarake.Duke u fokusuar në zgjedhjet që kanë mbërthyer vëmendjen e gjithë globit, presidencialet në SHBA, ai deklaroi se Shqipëria i ka të mirëpërcaktuara qartë përqasjet dhe raportet me superfuqinë botërore dhe nuk është me shumë rëndësi kandidati që do triumbojë në këtë betejë zgjedhore. Ajo cfarë politika shqiptare do të duhet të marrë nga ky proces sipas Spahiut, është një leksion sesi duhet të adoptojmë sistemin zgjedhor të votimit dhe atë numërimit.E kur 23 qershori 2013 nuk është aspak larg, datë kur do të mbahen zgjedhjet parlamentare në vend, Partia Lëvizja e Legalitetit nën kryesimin e Spahiut do të futet në zgjedhje përkrah PD, për vetë marrëniet e mira dhe reciproke ndërvite. Duke shprehur bindjen për një fitore të koalicionit të djathtë, ai shpreh dëshirën që ky koalicion të jetë terësisht i djathtë.“Ne ditën e shtunë kemi thirrur kryesinë e PLL për marrjen e masave për t`iu bashkangjitur ceremonisë së kthimit kthimit të eshtrave të Mbretit Zog dhe përgatitja për zgjedhjet. Do jemi me PD, është alternativa më e mire dhe kam besimin se do të jetë dhe koalicioni fitues. Kemi qenë korrekt në këtë koalicion edhe PD po ashtu na ka vlerësuar. Dëshira jonë është që të jetë një fitore e pastër e koalicionit të djathtë, por ky sistem e bën gati të pamundur. Ne do kishim dëshirë të ishim një koalicion terësisht i djathtë. Ne nuk shohim me xhelozi asnjë parti, nëse ato pozicionohen në koalicionin e djathtë nuk ka asnjë të keqe. Shumica po synojnë qëndrën dhe janë në pritje të fitimtarit për t`iu bashkangjitur. Partitë shkojnë e vijnë, por interesat e qytetarëve janë primare. Interesi i shqiptarëve është i lidhur ngushtë dhe me koalicionin qeverisës, sepse ka ndryshuar edhe jeta e tyre”u shpreh Spahia.Kreu i PLL ka folur dhe për një nga ngjarjet më të rëndësihme të vendit në këtë 100 vjetor të pavarësisë së Shqipërisë, kthimin e eshtrave të Mbretit Zog në atdhe. Teksa tha se do të mbahet një ceremoni  shtetërore për rivarrimin e eshtrave që do vinë nga Franca, Spahia dha dhe detajet e mbajtjes së kësaj ceremonie:“Shumica e shqiptarëve, mbretërorët dhe legalistët janë të lumtur se po shkon në vend historia. Me 17 nëntor mbahet  ceremonia e rivarrimit të eshtrave që vinë nga Parisi, është ceremoni shtetarore dhe ne po përgatitemi. Figura e Mbretit Zog në këtë 100 vjetor ka dalë ashtu sic ka qenë për meritat e tij, për hedhjen e themeleve të shtetit demokratik. Ceremonitë kanë filluar prej kohësh me emërtimet e rrugëve, shkollave, shesheve, ngritja e monumentit, por ajo që kulmon këtë veprimtari është ceremonia shtetërore e rivarrosjes së eshtrave. Me 16 paradite kthehen eshtrat, me datë 17 nga ora 10-12 do të mbahen homazhe në Pallatin e Brigadave, në 12 do fillojë lëvizja në drejtim të Bazeleumit  mbretëror ku do prehen eshtrat e Mbretit Zog sëbashku me pjestarët e tjerë të kësaj familje”.I pyetur lidhur me arsyet e këtij debati në këtë përvjetor jubilar rreth figurës së Mbretit Zog, kreu i PLL Ekrem Spahia u përgjigj:“Kanë kaluar 73 vjet nga prilli i vitit 1939, ka ardhur moment  të shihet e gjithë veprimtaria e tij, ky debat është terësisht abuziv. Ne nuk jemi për të cënuar figurën e askuj, përkundrazi të vlerësohen të gjithë ata që kanë kontribuar në historinë tonë. Kjo bëhet për të goditur qeverinë dhe kryeministrin Berisha për këtë nismë. Ne s`kërkojmë të shpërqëdrohet vëmendja e pavarësisë në 1912, por  kërkojmë vlerësimin edhe të figurave të tjera të rëndësishme në historinë e Shqipërisë. Por me rëndësi është që ky absurditet është zhvendosur tek e majta dhe nuk pjesë e së djathtës”.