FRD: Lirak Bejko, viktimë e dy regjimeve
Partia “Fryma e Re Demokratike”, ka bërë përgjegjëse qeverinë për vdekjen e ish të përndjekurin, Lirak Bejko ndërsa ka ftuar qytetarët në një heshtje nderimi e për të marrë pjesë në funeralin e tij.Në një konferencë për shtyp, përfaqësuesit e departamentit të ish të përndjekurve politik në FRD thanë se përgjegjes për ngjarjen janë ata që zhgënjyen ish të prendjekurit, që u premtuan Evropën moderne dhe më pas lëshuan vrerë ndaj tyre.“Me vdekjen e tij ne kemi humbur një mik dhe një viktimë të dy regjimeve, një emër që bën krenar shoqërinë shqiptare. Lirak Bejko ia kushtoi jetën e tij ëndërrës për liri dhe demokraci. FRD-ja s`ka asnjë mëdyshje se nëse qeveria do të pranonte të dialogonte Liraku do të ishte i gjallë. Ai ishte viktimë e dy regjimeve, e shurdhërisë së qeverisë. Ai është viktimë e mjekut të punësuar si kryeministër dhe humbi rastin të sillet si shtetar. I bëjmë apel qytetarëve të bashkohen në një heshtje nderimi për të nderuar Lirak Bejkon, për të marrë pjesë në funeralin e tij, për të dhënë shembullin që shqiptarët janë të aftë ta kuptojnë demokracinë dhe vlerën e saj dhe të bëjnë gjithçka për një demokraci funksionale dhe një Shqipëri europiane” theksuan përfaqësuesit e FRD-së.Lirak Bejko i vuri flakën vetes ditën e 19-të grevës së urisë së ish të pëndjekurve politik. Ai humbi jetën në një spital në Bari të Italisë, pasi kishte djegie në më shumë se 50 për qind të trupit. Trupi i tij ndodhet ende në Itali, ndërkohë që ish të përndjekurit politik të cilët kanë marrë pjesë në grevë urie kanë deklaruar do të bëhen homazhe në nderim të tij.