Shpërthim me eksploziv në një objekt biznesi në Durrës, arrestohet 44 vjeçari

Policia ka arrestuar një 44-vjeçar në Durrës, i cili dyshohet se ka vendosur lëndë eksplozive në një objekt biznesi. Policia bën me dije se në pranga ka rënë G. M., 44 vjeç, banues në Shijak. Po ashtu mësohet se është arrestuar edhe  menaxheri i lokalit në pronësi të autorit të dyshuar, pasi nga kontrolli në mjetin e tij Policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, menjëherë pas njoftimit të marrë për shpërthimin e një sasie të vogël lënde eksplozive të hedhur mbi tarracën e një godine trekatëshe, objekt biznesi, në pronësi të shtetasit J. D., në lagjen nr. 14 Durrës, kanë organizuar punën dhe falë veprimeve të shpejta hetimore dhe profesionale, bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar, shtetasit: G. M., 44 vjeç, banues në Shijak.  “- njofton policia e Durrësit.

Blutë bëjnë me dije se është sekuestruar një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak. 

Nga shpërthimi i lëndës eksplozive janë shkaktuar dëme të vogla materiale.

 “Në përfundim të veprimeve procedurale, materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, në ngarkim të shtetasit G. M., për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Kanosja”, “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”; në ngarkim të shtetasit B. Z., për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit “dhe në ngarkim të shtetasit A. M. për veprat penale “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.- njofton policia e Durrësit.