Kërkoi përjashtimin e 7 gjyqtarëve, Kolegji vendos sot për PD
Kolegji Zgjedhor ka vendosur të marrë në shqyrtim kërkesën e Partisë Demokratike për përjashtimin e 7 gjyqtarëve (nga 8) për shkak të cenimit të së drejtës për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm.
PD-ja ditën e djeshme, 7 qershor kërkoi përjashtimin e 7 gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor që refuzuan transparencën e zgjedhjeve në 3 qarqe; Gjirokastër, Vlorë dhe Berat.
"Me vendimet e dhëna deri tani, këta gjyqtarë, njësoj si komisionerët politikë të KAS, refuzojnë transparencën mbi masakrën zgjedhore te 25 prillit," shkruhej në kërkesën e PD-së.
"Refuzimi i kërkesave të PD-së për marrjen zyrtarisht të provave i vendos këta gjyqtarë në pamundësi për të gjykuar me paanësi 6 kërkesat e tjera të ngjashme te PD për blerjen e votës dhe deformimin e rezultatit të zgjedhjeve përmes përdorimit të shtetit në funksion të PS" thuhet në njoftimin për media.
Në kërkesën për zëvendësimin e 7 gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor, PD argumenton se duke qenë se këta gjyqtarë e kanë shprehur tashmë mendimin e tyre kundër kërkesave të PD për zgjedhjet, ata do të vazhdojnë me të njëjtin qëndrim.
Kjo bën që vendimet e tyre për 6 paditë e tjera të PD të jenë të paracaktuara, në shkelje të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor për një proces të paanshëm.

