Anglia e Holanda fitojnë miqësoret e fundit para Europianit

Nuk ka surpriza në testet e fundit të kombëtareve të mëdha në vigjilje të Kampionatit Europian. Kur kanë mbetur vetëm pak ditë nga starti i evenimentit më të rëndësishëm të futbollit në Kontinent, Anglia, Holanda dhe Danimarka bënë detyrën në miqësoret e luajtura.

“Tre Luanët” luajtën në Middlesbroug përpara tifozëve të tyre ndeshjen miqësore me Rumaninë ku Southgate kishte konfirmuar skemën 4-2-3-1 dhe pothuajse i provoi të gjithë lojtarët që kishte në dispizicion. Edhe pse pa Kane që qëndroi në stol, Anglia mposhti 1-0 ekipin ballkanas me golin e shënuar nga Rashford me penallti në 68’ ndërsa në 78’ po me penallti gaboi Henderson në ekzekutimin e tij.

Tashmë për Kane me shokë ndeshja tjetër do të jetë ajo ndaj Kroacisë por tani për Europianin më 13 Qershor për grupin D.

Holanda ishte kombëtarja tjetër që zbriti sot në fushë dhe ndryshe nga ndeshja me Skocinë që e barazuan 2-2, kësaj radhe fituan 3-0 ndaj Gjeorgjisë. Depay hapi serine e golave në pjesën e parë ndërsa në të dytën shënuan Weghorst dhe Gravenberch teksa trajneri De Boer konfirmoi skemën 3-5-2, e pazakonshme për tulipanët.

Ashtu si Anglia, Holanda do të zbresë në fushë më 13 Qershor në Europian në Grupin C ndaj Ukrainës.

Danimarka luajti gjithashtu sot miqësoren e fundit ku mundi Bosnjen me rezultatin e pastër 2-0 me golat e Braithwite në 18’ dhe Cornelius në 73’. Në Kampionatin Europian, Danimarka do të luajë ndeshjen e parë më 12 Qershor ndaj Finlandës në Grupin B.