Na ishte një herë Flamurtari, ekipi vlonjat bie në Kategorinë e Dytë
Rënia e Flamurtarit nuk ndalet. Sezonin e kaluar ra në Kategorinë e Parë ndërsa tani klubi vlonjat do t’i duhet të luajë vitin e ardhshëm në Kategorinë e Dytë, një nivel i turpshëm duhet pranuar për një emër të madh si Flamurtari.
Në finalen Playout për të qëndruar në Kategorinë e Parë, u përballën në “Elbasan Arena”, Flamurtari dhe Tërbuni të cilët dhanë gjithçka në 90 minuta por pa gjetur golin.
Edhe dy pjesët nga 15 minuta shtesë nuk prodhoi asnjë gol duke i drejtuar skuadrat drejt lotarisë së penalltive.
Skuadra pukjane arriti të realizonte të gjitha penalltitë, 5 të tilla teksa për vlonjatët në të fundit gaboi Andi Ribaj i cili dënoi edhe Flamurtarin me rënien një kategori më poshtë.
Është për t’u theksuar që pas shumë vitesh, një ekip si Flamurtari bie në një Kategori të ulët si ajo e Dyta dhe arsyeja kryesore e dështimit është pikërisht e menaxhimit herë nga bashkia e herë nga sponsori.
