Osmani konsulton partitë politike për zgjedhjet lokale, data pritet në mesin e tetorit
Pasdite në Kosovë fillojnë konsultimet për të përcaktuar datën e zgjedhjeve lokale. Ato pritet të mbahen në tetor dhe do të vënë mijëra kandidatë përballë njëri-tjetrit, në 38 komunat e Kosovës.
Kosova përmbylli më 14 shkurt procesin e përgjithshëm zgjedhor, por vjeshta do sjellë në vend një stinë tjetër garash lokale.
Presidentja Vjosa Osmani dhe partitë politike fillojnë të mërkurën konsultimet për të caktuar datën e zgjedhjeve për komunat.
Janë me mijëra kandidatë që aspirojnë çdo katër vite një post në kuvendet komunale dhe kreun e 38 njësive administrative vendore.
Valmir Elezi, zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor të Kosovës, thotë se kandidatët do i nënshtrohen verifikimit të hollësishëm të figurës.
“Me qëllim të verifikimit të kandidatëve që duan të certifikohen në garën për kryetar komune apo për kuvende komunale, KQZ-ja do t’i drejtohet disa institucioneve të ndryshme, në këtë rast Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe asaj të Jashtme, Ministria e Mbrojtes, Agjencia së Kosovës për Inteligjencë si dhe Doganave të Kosovës.
Ne nenin 29 të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme janë të listuar të gjitha rastet kur një person nuk është i aftë të certifikohet si kandidat, prandaj do të kërkohet për secilin prej kandidateve, nga secili prej këtyre institucioneve, të bëjnë verifikimin sipas fushës së përgjegjësisë që mbulojnë.
Pra, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në kohën pra kur të vijë periudha e certifikimit të kandidatëve që duan të kandidojnë që duan të garojnë në zgjedhjet lokale qoftë për kryetar komunë qoftë apo për kuvende komunale do të veprojë njëjtë sikurse për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të cilat janë mbajtur më 14 shkurt."
Në zgjedhjet e 14 shkurtit disave iu mohua karrigia parlamentare për shkak të kritereve ligjore, siç ndodhi me kryeministrin Albin Kurti.
Rregulli mbetet në fuqi edhe për garat lokale.
“Këshilli Gjyqësor i Kosovës është njëri prej institucioneve që KQZ-ja do të kërkojë verifikim të kandidatëve. Në nenin 29, pikën Q, theksohet se kandidat nuk mund të jetë një person ‘i shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vitet e fundit’.
Prandaj, ne do të kërkojmë nga KGjK-ja që të na dërgojë emrat e personave nga lista e kandidatëve nëse janë shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vitet e fundit. Kjo periudhë do të llogaritet nga dita e zgjedhjeve lokale, varësisht se cila do të jetë, dhe tri vite mbrapa asaj date.”
Në zgjedhjet lokale të vitit 2017, në Kosovë garuan 204 kandidatë për kryesinë e komunave dhe rreth 6,900 të tjerë për kuvendet komunale.
KQZ-ja e Kosovës thotë se në vjeshtë do të ketë më tepër kohë për organizim, ndryshe nga ç'ndodhi me zgjedhjet e parakohshme të shkurtit, ndërkohë që burime brenda presidencës informojnë mediet kosovare se gara lokale mund të caktohet mes datave 10 ose 17 tetor.

