"Pandemia dhe Ballkani Perëndimor, sfidat kryesore", kryeministri slloven: Nëse jo BE, dikush tjetër do zgjerohet

Shërimi nga pandemia e koronavirusit dhe zgjerimi i Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor janë ndër sfidat kryesore të Unionit, tha kryeministri slloven Janez Jansa të martën, 1 qershor.

"Nëse BE nuk zgjerohet, dikush tjetër do të zgjerohet," paralajmëroi Jansa në një fjalim për diplomatët sllovenë përpara marrjes së presidencës gjashtëmujore të BE nga Sllovenia me 1 korrik.

"Sllovenia, e cila do të presë një samit informal BE-Ballkani Perëndimor në fillim të tetorit, është veçanërisht e interesuar për këtë proces për shkak të afërsisë së saj me rajonin dhe zgjerimi i BE duhet të jetë një përgjigje ndaj sfidave strategjike dhe të sigurisë të aktorëve të tretë. Midis tyre është Turqia, e cila po përpiqet të ngadalësojë zgjerimin e BE në Ballkan", tha Jansa.

Duke folur për pandeminë, ai tha se asnjë vend nuk ishte i gatshëm për të dhe se ideja globaliste se "ajo që nuk mund të sigurosh në vendin tënd, mund ta bësh më lirë në tregun botëror" rezultoi iluzion.

Jansa vlerësoi se anëtarët e BE kanë rënë dakord për një paketë gjithëpërfshirëse ekonomike dhe financiare për rimëkëmbjen e ekonomive dhe shoqërive të tyre nga pandemia.

Nga ana tjetër, do të jetë shumë më e vështirë të arrihet një marrëveshje për një "tranzicion të gjelbër" në ekonomi sepse struktura e ekonomisë së 27 vendeve anëtare të BE-së është e ndryshme, dhe kryesisht do të varet nga mënyra se si Komisioni Evropian arrin të merret me probleme specifike të shteteve individuale, tha Jansa.