Zjarri në fabrikën e tullave në Maminas, gjykata liron përgjegjësin teknik

Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës ka liruar nga burgu Bexhet Zijajin, me detyrë përgjegjës teknik në  fabrikën e tullave në Maminas, që u përfshi të premten (28 maj)nga flakët.

Si pasojë e zjarrit, mbeti i vdekur punëtori Besnik Bojaku.

Zijaji u arrestua të shtunën, ndërsa Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, ndërsa ai do të hetohet në gjendje të lirë për mos respektim të rregullave të mbrojtjes në punë.

Gjykata e ka arsyetuar vendimin për ta liruar Zijajin për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, dhe faktin që nuk përbën rrezikshmëri për shoqërinë.

Fabrika e tullave u përfshi nga zjarri mesditën e së premtes, ndërsa hetimet paraprake kanë rezultuar se gjithçka ka nisur nga një shkëndije elektrike.

U deshën 7 automjete të zjarrëfikësve nga Durrësi, Shijaku dhe Tirana për të bërë të mundur fikjen e zjarrit që la një viktimë, dhe dëme të mëdha materiale.