Florenc Çapja kërkoi azil në Dubai, SPAK i kërkon Ministrisë së Drejtësisë nisjen e ekstradimit

Florenc Çapja kërkoi azil politik në Emiratet e Bashkuara vetëm pak ditë pasi u akuzua për dy vrasje në Elbasan. Mësohet se para policisë ai ka pretenduar për inskenim politik, duke pretenduar se për ngjarjen është dënuar një herë.

Prokuroria e Posaçme (SPAK) i ka kërkuar Ministrisë së Drejtësisë nisjen e procedurave të ekstradimit të Florenc Çapjas.

Dy ditë pasi është bërë i ditur ndalimi i tij në Dubai prokurorët kanë paraqitur shkresën për ta sjellë në Shqipëri ku akuzohet për dy vrasje në Elbasan.

Burimet kanë bërë të ditur se pas ngritjes së akuzës, në 16 mars 2021, Çapja ka udhëtuar prej Rinasit drejt Stambollit.

Më tej ai është nisur në Dubai ku dhe ka kërkuar azil.

Pikërisht në momentin e aplikimit në zyrën e migracionit ai është zbuluar nga policia vendase, ku dhe është vënë në pranga.

Florenc Çapja pretendon se hetimi kunder tij është një inskenim politik.

Gjithashtu mësohet se ai ka dorëzuar dokumente përmes të cilave ngre pretendime se për vrasjen e Gentian dhe Nezir Beqirit është shpallur i pafajshëm në vitin 2012.

Sipas tij në ditën dhe orën që ka ndodhur vrasja ka qenë në Gjermani.

Dosja ndaj tij është hapur pasi bashkëpunëtori i drejtësise Ervis Bardhi ka përmendur Florenc dhe Ardian Çapjan si porositësit e ekzekutimit të Gentian dhe Nezir Beqirit,babë e bir.

Po ashtu ai ka pretenduar se për këtë janë marrë 50 mijë euro, teksa porosia është dhënë në Krrabë.

Në rrëfimin para prokurorëve bashkëpunëtori i drejtësisë ka bërë të ditur se fillimisht në sy të babait kanë vrarë djalin.