Provokoi vdekjen e 53-vjeçarit në Durrës, pranga 37-vjeçarit, çfarë ndodhi në lagjen 13 Plazh

Një 37-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Durrësit pasi dyshohet se ka goditur një shtetas, i cili më pas është rrëzuar dhe ka ndërruar jetë.Ngjarja ka ndodhur me 23 maj në lagjen Nr.13, Plazh.

Shtetasi M.A dyshohet se për motive të dobëta ka goditur shtetasin Z.K.,53 vjeç,  banues në Durrës, i cili është rrëzuar në tokë duke i shkaktuar dëmtime, ku pas mjekimit të marrë në Spitalin Rajonal Durrës është transferuar për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës Tiranë ku më datë 27 maj ka ndërruar jetë.

Policia e Durrësit menjëherë sapo ka marrë dijeni për ngjarjen, ka kryer të gjitha veprimet procedurale sipas dispozitave ligjore, duke pyetur edhe familjarët e personit të dëmtuar, të cilët nuk kanë pasur asnjë  pretendim.

Grupi hetimor vijoi hetime më të thelluara duke bërë të mundur zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe arrestimin ditën  e djeshme të autorit të dyshuar.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme.