"Po saldonte tubat e gazit, dikush hapi gazi... " Dëshmia në "Ora Juaj" , si ra zjarri në fabrikën e tullave në Maminas

Telefonata e mbërritur në emisionin e sotëm “Ora Juaj” transmetuar në Ora News ka zbuluar si ndodhi shpërthimi i flakëve në fabrikën e tullave në Maminas të Shijakut mesditën e 28 majit 2021.

“Ai ka qenë duke salduar tubat e gazit dhe dikush ka hapur gazin” tha gruaja e cila u prezantua si kushërira e 57 vjeçarit i cili u nda nga jeta mëngjesin e sotëm në QSUT në Tiranë.

“Nuk ishte plagosje e lehtë jashtë rrezikut për jetën, por një plagosje e rëndë mbi 80% djegie në trupin e tij. Ai ishte duke salduar tubat e gazit dhe dikush ka hapur gazin. Mbrëmë ka shkuar prokuroria i ka dhënë këto të dhëna, por mjeku nuk e la të firmoste pasi i tha mos e lëviz dorën” vijon dëshminë e afërmja e viktimës për gazetarin Klodi Karaj.

Sot policia e Durrësit informon se ka arrestuar në flagrancë shtetasin B.Z., 67 vjeç,  banues në Tiranë, me detyrë përgjegjës teknik në fabrikën e tullave në Maminas, “pasi nga  zjarri i rënë ditën e djeshme në këtë fabrikë, si pasojë e mos respektimit të rregullave të mbrojtjes në punë u lëndua nga zjarri shtetasi B.B., 57 vjeç,  banues në Tiranë, i cili ndërroi jetë mëngjesin e sotëm në QSUT Tiranë” informoi policia e Durrësit.