Kryetarja e Gjykatës së Elbasanit, Enkeleda Kapedani kërkon ndjesë: Nuk jam krenare për videot e publikuara
Kryetarja e Gjykatës së Elbasanit, Enkeleda Kapedani, do të përballet me një hetim disiplinor nga Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë, pas publikimit të disa videove në rrjetin social TikTok, ku ajo shfaqet duke bërë sfiladë në ambientet e institucionit dhe në zyrë.
Në një reagim të dytë për median gjyqtarja thotë se nuk është krenare për videot e publikuara dhe se I vetmi qëllim është për t’I dëmtuar imazhin.
“Qëndrimi im në lidhje me shpërndarjen e disa vidiove nëpër media.
Si gjyqtare në radhë të parë dhe si nënkryetare e Gjykatës ndjehem keq nga publikimi i këtyre videove vetëm për të më dëmtuar imazhin. Unë si gjyqtare e kam të ndaluar të komentoj, por do pres me qetësi verifikimin e kësaj situate.
As si individ as si gjyqtare nuk jam krenare për videot e publikuara. Shpresoj që ky sulm mos të jetë ndaj meje sepse jam grua dhe nene.
Ndërsa kërkoj ndjesë për cilindo që është ndjer keq nga ato video. Dua të theksoj me forcë se asnjë insinuatë apo përbaltje nuk do më influencojnë të jap drejtësi dhe të punoj ndershmërisht si deri më sot.”
Në njërën nga videot e Kryegjyqtares që duhet të dënojë çdo veprimtari kriminale, dëgjohet një këngë për mafien.
Në video të tjera, magjistratja Kapedani reklamon veshjet e markave të shtrenjta dhe makinën e saj, ndërsa është edhe një moment kur ajo ecën me shpejtësi dhe bën një parakalim të gabuar në rrugë.
Enkeleda Kapedani u emërua kryetare e Gjykatës së Elbasanit në 30 shtator 2020, pas dorëheqjes së gjyqtarit Zihni Shahu.
Në dhjetor 2019, ajo ishte në qendër të vëmendjes pasi liroi nga burgu Viktor Ymerin e bandës së Gaxhait në Vlorë.


