Arrestohet në Dubai Florenc Çapja, pritet ekstradimi në Shqipëri
Florenc Çapja, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga shteti shqiptar, mësohet se është arrestuar në Dubai. Burimet kanë bërë të ditur se ai është ndaluar në datën 27 maj, megjithatë ende nuk ka një deklaratë zyrtare nga organet e drejtësisë.
Ai akuzohet si porositës për ekzekutimin në 15 gusht të vitit 2012 të Gentian dhe Nezir Beqirit në Elbasan. Ka qenë një nga autorët e ngjarjes që ka zbardhur atentatin në banesën e të dy viktimave. Sipas tij, Çapja i ka takuar në zonën e Krrabës dhe për porosinë ka dhënë 50 mijë euro.
Për të mbuluar gjurmët Florenc dhe Ardian Çapja ditën që ka ndodhur ngjarja kanë shkuar në Maqedoni për të humbur gjurmët.
Ndërsa autorët janë kthyer në Elbasan, ku janë ngjitur në banesën e viktimave. Fillimisht në sy të babait kanë vrarë Gentian Beqirajn dhe më pas Nezirin.
Dëshmi ka dhënë dhe nëna e të ndjerit, sipas së cilës ata e mbanin gjithnjë derën e shtëpisë të mbyllur ndaj ajo ngriti dyshimet se familjarët u ekzekutuan nga një i njohur.
Tashmë do të duhet që drejtësia shqiptare të kërkojë ekstradimin për të zbardhur detaje të mëtejshme mbi përplasjet në Elbasan.
Çapjat e porositën në Krrabë ekzekutimin e Gentjan dhe Nezir Beqirit
Vrasja e Gentjan dhe Nezir Beqirit në Elbasan është organizuar një muaj para ekzekutimit në banesën e tyre me 15 gusht të vitit 2012.
Prokuroria ka mundur të zbardhë ngjarjen nga dëshmia e Ervis Bardhit, i cili ka pranuar se në kohën kur u realizua vrasja kishin marrë një banesë me qira në rrugën “7 Marsi”, në qytetin e Elbasanit.
Madje ai ka pranuar se vizitat e Ervisit në banesën e mikut të tij, Gentjan Beqiri, që ndodhej në “arrest shtëpie”, ishin bërë më të rralla.
Në dokumentet e prokurorisë thuhet se Olsi Leka i ka kërkuar Ervisit të shkonin në Tiranë dhe rrugës do të takonin Ardian Çapjan.
Në Krrabë, në vendin ku rruga është e drejtë, në afërsi të fshatit Gracen, ata kanë vënë re një mjet fuoristradë me ngjyrë të zezë, të parkuar në anën e rrugës.
Prej tij kanë zbritur Ardian Çapja, i cili ka qenë i armatosur, dhe Florenc Çapja.
Pasi janë takuar, Ardiani ka kërkuar të dije se cili do të ngjitej në banesën e Gentjan Beqirit për të kryer vrasjen.
Rezulton se Olsi leka është shprehur se do të shkonin së bashku me Visin.
Por ky i fundit duket se nuk ka pasur informacion për atë se çfarë po ndodhte.
Ndaj dhe Ardjan Çapja ia ka ngarkuar porosinë Olsi Lekës, por duke shtuar se do të ishte mirë që vrasjen ta kryente Visi, duke shtuar se e dinte që Olsi e mbaronte këtë detyrë.
Sipas materialeve të akuzës, pas kësaj, biseda mes Olsi Lekës dhe Ardian Çapjas është përqendruar për një sasi lënde narkotike prej 300 kg, e cila ndodhej në Holandë, ku edhe mund të shkonin me qëllim që ta vidhnin.
Pasi janë ndarë, Ervis Bardhi së bashku me shtetasin Olsi Leka janë drejtuar për në Tiranë dhe kanë qëndruar te banesa e vjehrrit të Olsit, e cila ndodhej në Kombinat.
Prej këtij takimi në Krrabë, Ervis Bardhi nuk është takuar më me Ardian Çapjan dhe Florenc Çapjan, pasi takimet me ta vijonte ti mbante Olsi Leka.
Ky i fundit ndodhet i arrestuar në Greqi, dhe pritet të ekstradohet në Shqipëri, ku do përballet me akuzën vrasjes së babë e bir, në 15 gusht të 2012 në Elbasan.
Për vrasjen e Gentjan dhe Nezir Beqirit, përveç Florenc Çapjas janë arrestuar edhe Ervis Bardhi, Etien Cani, Olsi Leka, Klajdi Dokoli dhe Ardjan Çapja.



