"Pse në këtë moment DASH i duhet një skenë politike shqiptare pa Sali Berishën nëpër këmbë?"

Ish-presidenti Bujar Nishani por edhe kandidati për kryetar të PD-së Fatbardh Kadilli kanë deklaruar se kryedemokrati Basha ka qenë në dijeni përpara se të bëhej publike për shpalljen non grata të ish-kryeministrit Berisha nga DASH dhe se për këtë arsye e afroi datën e zgjedhjeve.

Analisti, Artan Hoxha, thotë se në mungesë të informacioneve nuk mund të pohojë as të mohojë këtë tezë të tyre.

I ftuar në Rtv Ora me gazetaren Beti Njuma ai e sheh vendimmarrjen e DASH të lidhur me ndryshimet brenda tij dhe jo me zhvillimet këtu.

Hoxha: Nuk di, nuk mund as të konfirmoj dhe as të mohoj çfarë dinë Nishani dhe Kadilli. Unë di që nuk ka ndryshuar Sali Berisha, është ai që ka qenë edhe sot. Dikush e respekton, dikush nuk e respekton. Dikush e adhuron, dikush e urren.Pyetja është pse në këtë moment DASH i duhet një skenë politike shqiptare pa Sali Berishën nëpër këmbë? Kjo është pyetja.

Nëse ky departament vite më parë e vlerësonte Berishë si kampion të demokraciësë, antikorrupsionit, amerikanizmit, ka ndryshuar departamenti. Kanë ndryshuar njerëzit në atë atë organizatë. Ka ndryshuar goxha administrata amerikane. Periudha anti-Trup ka shkaktuar ndryshime goxha të mëdha në SHBA dhe një debat shumë të madh. Është pasojë e një ndryshimi atje dhe jo e ndonjë gjëje që ka ndodhur këtu apo paska bërë Sali Berisha ndonjë gjë të paparë këto vitet e fundit.