Pandemia drejt fundit?! Tomini: Masat do lehtësohen në mënyrë graduale, duke vlerësuar situatën

Eugena Tomini, zv.ministre e Shëndetësisë ka komentuar situatën pandemike në vend, dhe lehtësimin e masave kufizuese.

E ftuar në edicionin e lajmeve të Ora News, Tomini shprehet se pavarësisht rënies së numrit të viktimave dhe rasteve të reja nga Covid-19, duhet të tregojmë kujdes.

Më tej ajo thotë se masat do të lehtësohen në mënyrë graduale, duke parë vlerësuar situatën epidemiologjike.

"Duke qenë indikatorët matës të pandemisë që në fillim të fazës së hershme që janë rastet pozitive, rastet e pakta të shtruara në spital, ndikojnë drejt një situate favorizuese të pandemisë, por gjithsesi kujdesi duhet dhe masat duhen respektuar pavarësisht peshës së kalimit të sëmundjes apo peshës që mbart vaksinimi masiv në popullatë.

Pavarësisht shifrave aktuale duhet të jemi të kujdesshëm, për vetë faktin se virusi edhe në vendet tjera ka treguar prezencën e mutacioneve. Ne kemi kaluar në lehtësimin e masave, por në mënyrë graduale. Lehtësimi me një orë, qoftë edhe heqja e masës me një orë apo qoftë heqja e maskës në ambientet e jashtme, ka ndikime pozitive kundrejt favorizimit të lehtësimit nëse do respektojmë masat e rekomanduara nga autoritetet shëndetësore.

Jemi të interesuar që të kemi një shëndet të popullatës të minimizojmë sa më shumë efektet e pandemisë por sigurisht duke ndikuar edhe në pjesën ekonomike, dhe një rikthim ekonomik në hapa të ngadalë por duke u menduar mirë."

E pyetur se nëse në vendin tonë ka qarkulluar mutacioni indian, Tomini është shprehur se në vendin tonë nuk ka pasur asnjë rast të dyshuar.

"Deri më tani nuk kemi asnjë rast të dyshuar përkundrejt variantit indian dhe asnjë rast të përcaktuar nga ana laboratorike apo klinike. Gjithsesi kriteret epidemiologjike aktual, paraqesin një tendencë në rënie dhe të gjithë parametrave."

Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti për online Anila Kolgjini.