Gati rritja e çmimit të ujit në Vlorë? Kreu i Ujësjellësit paralajmëron rishikim tarifash, qytetarët kundër
Pas rritjes së çmimit të ujit me 50% në vitin 2019, qytetarët e Vlorës mund të përballen edhe me një rritje tjetër të këtij çmimi.
Paralajmërimin e ka bërë drejtuesi i Ujësjellës Kanalizimeve Vlorë, Shkëlqim Leskaj, pasi sipas tij UKV ndodhet në vështirësi financiare.
"Ne si staf e kemi parashikuar por do të gjejmë dhe momentin e duhur që qytetarët tani presin rritjen e çmimit të ujit."
Të shqetësuar për cilësinë e ujit dhe çmimin e lartë, qytetarët e Vlorës janë kundër rritjes së tarifës për herë të dytë brenda dy viteve.
"Po të rritet çmimi i ujit të rritet dhe pensioni."
"Nuk jemi dakord."
"Ne nuk po pijmë ujë, si të rritet çmimi?"
"Uji nuk është i pastër, nuk pihet."
"Nuk na pyet njeri ne. Do shkurtojmë kafshatat dhe pjatën e gjellës."
Shqetësimit të qytetarëve për rrjetin e Ujësjellësit nëpër rrugët e qytetit Leskaj i përgjigjet duke thënë se ka mungesë fondesh.
I pari i Ujësjellësit në Vlorë ka akuzuar edhe firmat private që merren me zbatimin e projekteve nëpër qytet, të cilat sipas tij nuk po zënë mend, duke dëmtuar tubacionet.

