Policia bashkiake i konfiskon me forcë bidonët 65-vjeçares, reagojnë ashpër qytetarët: E kapën si kriminele!
Pa të ardhura dhe pa punë 65-vjeçarja, Sadede Sula, siguron paratë për ushqim me materiale të riciklueshme. Këtë të enjte është dashur të përballet me policinë bashkiake, e cila pas debatit konfiskoi bidonët me të cilët do të siguronte sado pak të ardhura. Situata ka irrituar edhe kalimtarët, të cilët në pamundësi për të shuar tensionin e kanë ndihmuar me sado pak para.
Ky është momenti kur policia bashkiake në Tiranë rrethon të moshuarën Sadete Sula, e cila po mblidhte bidona.(shiko videon)
Ngjarja ka ndodhur pranë Fakultetit të Mjekësisë.
Edhe pse 65-vjeçarja bëri rezistencë, policët bashkiakë arritën ti konfiskojnë bidonët dhe karrocën duke e lënë mes lotëve.
Konflikti ka irrituar dhe kalimtarët e rastit të ndodhur aty pranë.
"E kapën këta zotërinjtë sikur ishte kriminele."
"Nuk e lënë plakën e shretë të nxjerrë bukën e gojës por e kapin si kriminele."
"Ajo nuk ka shtëpi dhe as pension, as burri i saj, është shumë keq nga gjendja ekonomike."
Menjëherë pasi Ora News mbërriti në vendin e ngjarjes, policët bashkiakë u larguan ndërsa disa qytetarë të prekur nga rasti u solidarizuan, duke i ardhur në ndihmë së moshuarës me sado pak para.
E moshuara jeton në këtë banesë (shikoni videon) në Babrru.
Bidonët dhe materialet e riciklueshme duket se janë mjetet me të cilat siguron të ardhura.
Nuk ka fëmijë por jeton vetëm me bashkëshortin e saj të sëmurë.
"Më kanë vdekur tre fëmijë. Nga shteti nuk marr asgjë".
65-vjeçarja i bën thirrje policisë bashkiake ti rikthejnë karrocën pasi ajo është e vetmja mundësi ku ajo siguron të ardhura.

