Prokurori Anton Martini revoltohet në KPA: Denoncimet ndaj meje shpifje, tentativë për të më mbajtur

Prokurori, Anton Martini, u shpreh i revoltuar para Kolegjit të Posaçëm të Apelit pas shqyrtimit të dy denoncimeve që rihapën hetimin gjyqësor në vettingun ndaj tij. Prokuroria e Shkodrës kishte kthyer përgjigje se nuk gjendeshin dokumente për shortin e dosjeve gjatë kohës kur institucioni drejtohej nga Martini, por vetë prokurori i konsideroi denoncimet shpifje dhe tentativë për ta mbajtur peng rivlerësimin ndaj tij.

Prokurori, Anton Martini, u përball me Kolegjin e Posaçëm të Apelit lidhur me dy denoncimet që u bënë shkak për rihapjen e hetimit ndaj tij në kuadër të procesit të vetingut.

KPA kishte kërkuar sqarime për denoncimin që pretendonte se Anton Martini i kishte ndarë çështjet pa i kaluar në short kur drejtonte Prokurorinë e Shkodrës.

Me anë të një shkrese zyrtare ky institucion i ka kthyer përgjigje KPA-së duke sqaruar se për 1 mijë nga rreth 1500 çështje nuk ka dokumente për vërtetimin e shortimit.

Organi i akuzës ka theksuar se në mungesë të shortit elektronik, kjo procedurë vijon të kryhet në mënyrë manuale, ndërkohë që në përgjigjen e saj prokuroria thotë se për shumicën e çështjeve të ndara në atë kohë, mungojnë procesverbalet e hedhjes së shortit.

Vetë prokurori, Anton Martini, argumentoi se fakti që nuk ekziston dokumentacioni nuk do të thotë se shorti nuk është hedhur.

Një tjetër denoncim ishte ai që lidhej me dosjen e ish-oficerit të Antidrogës së Fierit, Dritan Zagani.

KPA kishte kërkuar sqarime lidhur me veprimet e kryera me çështjen nga Anton Martini dhe kalimin e akteve në prokurorinë e Fierit.

Kjo e fundit i ka kthyer përgjigje KPA-së duke sqaruar vetëm faktin se dosjen ndaj ish-oficerit të policisë ia kishte dorëzuar gjykatës.

Vetë prokurori, Anton Martini, me tone të ashpra i cilësoi denoncimet si shpifje dhe pjesë të një përpjekje për ta mbajtur peng procesin e vettingut ndaj tij.

Ish-drejtuesi i prokurorisë së Shkodrës, i cili ka qenë pjesë e Krimeve të Rënda e kaloi procesin e rivlerësimit në prill 2020, por Komisioneri Publik ankimoi vendimin e KPK-së dhe i kërkoi KPA-së të vendosë shkarkimin e tij për shkak të problemeve në kriterin e pasurisë dhe atë të profesionalizmit.