Flakët rrezikuan familjen, digjet banesa në Ishull-Shëngjin, plagoset zjarrëfikësi

Një banesë dy katëshe ka marrë flakë për shkaqe ende të paditura mesditën e së enjtes në Ishull-Shëngjin të Lezhës. Gjatë shuarjes së flakëve ka mbetur i plagosur një zjarrfikës.

Një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu një banese dy katëshe në fshatin Ishull-Shëngjin të Lezhës duke rrezikuar jetën e të gjithë familjarëve.

Flakët kanë rënë në një magazinë pranë shtëpisë e më pas janë përhapur.

Burimet kanë bërë të ditur se kanë qenë fqinjët që kanë ngritur alarmin, duke u kërkuar të dalin.

Si pasojë e zjarrit ka shpërthyer edhe një bombol gazi, por pa shkaktuar dëme në njerëz.

Në përpjekje për të shuar flakët e rëna rreth orës 13:00 u dëmtua dhe një zjarrëfikës, të cilit i ranë mbi kokë pjesë së çatisë.

Menjëherë efektivit i është dhënë ndihma e parë dhe është dërguar nën kujdesin e mjekëve në spitalin e Lezhës, ku mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Pas shuarjes së plotë të flakëve, ekspertët do të nisin verifikimet për përcaktimin e shkaqeve të këtij zjarri, ndërsa dëmet e shkaktuara në banesën dy katëshe janë të konsiderueshme.