Rihapet "21 janari", Prokuroria do të hetojë vrasjen e Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës
Prokuroria e Tiranës ka vendosur të rihapë hetimet për vrasjen pa autor të Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës dhe plagosjen e dy të tjerëve më 21 janar 2011 në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" në Tiranë.
Objekt i këtij hetimi janë dhe plagosja e dy shtetasve që janë qëlluar me armë por që nuk janë paraqitur në spital por janë larguar jashtë.
Gazetarja e Ora News Keti Banushi bën me dije se ka qenë një kërkesë e policisë së Tiranës para 10 vjetorit të 21 janarit që është drejtuar me shkresë Prokurorisë ku ka kërkuar rihapjen e hetimeve.
Sipas Prokurorisë kishte dhe prova të reja të cilat mund të zbardhin vrasjet e mbetura pa autor.
Çështja eshte regjistruar 1 muaj më parë me akuzën e "vrasjes në rrethana të tjera cilësuese"
Ekspertimet do ribëhen me teknologji të përparuar.
Në 2012 prokuroria e Tiranës mbylli hetimet e dërgoi në Gjykatë gardistët e akuzuar për vrasjen e Hekuran Dedës, Faik Myrtar e Ziver Veizit, ndërsa u nda më vete dosja e vrasjes së Aleks Nikës.
Ne vrasjen e Aleks Nikës predha e gjetur në kokën e tij ishte e dëmtuar dhe nuk kishte mundësi të ekspertohej nga cila armë ishte goditur.
Një tjetër vrasje që mbeti e pazbardhur ishte dhe ajo e Hekuran Dedës. Për këtë arsye Prokuroria ka rihapur edhe për këtë vrasje.
Do të merren në pyetje persona të tjerë të dëmtuar si dhe dëshmitarë që kanë qenë në vendin e ngjarjes.
